Publikohet një audio-incizim, dyshohet se një prokuror është i përfshirë në ryshfet për t’ia kryer një punë mërgimtarit
Gazeta online Reporteri.net ka publikuar një audio-incizim në të cilin dëgjohet duke folur një mërgimtar nga Gjermania, Haki T., rreth një afere ryshfeti brenda Prokurorisë së Shtetit, për mbylljen e një rasti ndaj tij, për falsifikim dokumentesh në Prokurorinë Themelore të Pejës.
Sipas mediumit, audio-incizimi duke se është kryer vite më parë, dhe se mërgimtari në fjalë me prejardhje nga Klina, gjatë një bisede me një person tjetër, dëgjohet teksa pohon se për mbylljen e një rasti penal ndaj tij dhe pjesëtarëve të familjes së tij, në Prokurori Themelore të Pejës, kishte gjetur lidhje deri tek prokuroi i rastit Agim Kurmehaj, i cili – aktualisht është Kryeprokuror i Prokurorisë Themelore në Pejë.
“I shtina lidhjet te Kurmehaj….[nuk dëgjohet], i gjeta 4 mije ojro (Euro).. qe paret.. Mu ma ka hek….[ndalet]. Beratit e çikës jo…” – dëgjohet duke folur mërgimtari.
Sipas Reporterit.net rasti ka të bëjë për një skemë mashtrimi me dokumentesh që folësi në audio-incizim dyshohej se e ka kryer në Kosovë për të mundësuar pajisjen e fëmijëve të tij me dokumente të Gjermanisë.
Rasti i tij, sipas informacioneve, ishte trajtuar rreth 8 vite më parë në Prokurorinë Themelore të Pejës. Mërgimtari ishte liruar nga ndjekja penale, derisa në audio-incizim pretendon se këtë e kishte arritur duke paguar ryshfet deri tek Kryeprokurori Kurmehaj, në atë kohë prokuror i rastit.
Mediumi në fjalë ka njoftuar se që disa ditë është duke kërkuar një përgjigje nga kryeprokurori i Pejës, Agim Kurmehaj, mirëpo i njëjti deri në publikimin e këtij artikulli nuk është përgjigjur në asnjë nga insistimet me e-mail.
