Publikohet Aktgjykimi i plotë që e shpalli anti-Kushtetues ligjin për KPK-në
Nga Gjykata Kushtetuese tashmë është publikuar edhe Aktgjykimi i plotë, sipas të cilit janë shpallur anti-kushtetuese ndryshimet e Ligjit për Këshillin Prokurorial të Kosovës.
Kujtojmë se Ligji për Këshillin Prokurorial të Kosovës është hartuar nga ministria e Drejtësisë dhe është miratuar me shumicë votash në Kuvend.
Megjithatë, në Aktgjykimin e publikuar thuhet se parashtruesit e kërkesës, pra deputetët e PDK-së dhe LDK-së, pretendojnë se nenet 13, 16, 18 dhe 20 të Ligjit të kontestuar nuk janë në përputhshmëri me nenet: 4 [Forma e Qeverisjes dhe Ndarja e Pushtetit], 24 [Barazia para Ligjit], 32 [E Drejta për Mjete Efektive], 45 [Të Drejtat Zgjedhore dhe të Pjesëmarrjes], 54 [Mbrojtja Gjyqësore e të Drejtave], 109 [Prokurori i Shtetit] dhe 110 [Këshilli Prokurorial i Kosovës] të Kushtetutës.
Më tej, aty tregohet se parashtruesit e kërkesës kanë theksuar që paragrafi 4 i nenit 110 të Kushtetutës, përcakton që “Përbërja e Këshillit Prokurorial të Kosovës, si dhe dispozitat për emërimin, shkarkimin, mandatin, strukturën organizative dhe rregullat e procedurës, rregullohen me ligj”. Sipas tyre, ky fakt ka mjaftuar që Qeveria të propozojë dhe Kuvendi të miratojë Ligjin e kontestuar, i cili përveç tjerash, ndryshon përbërjen e KPK-së dhe numrin e anëtarëve të tij, nga trembëdhjetë (13), sa ishte deri më tani në shtatë (7) sosh. Ndërkaq, sipas parashtruesit të kërkesës, arsyetimi i vetëm i këtij ndryshimi substancial të numrit të anëtarëve të KPK-së, në koncept-dokumentin që i ka paraprirë atij ndryshimi, është përmbledhur në një fjali të vetme dhe të shkurtër, përkatësisht “për qëllime të efikasitetit të punës së KPK-së”.
Sipas Aktgjykimit, zgjedhja e dy anëtarëve jo-prokurorë të KPK-së me shumicë të thjeshtë të votive në Kuvend, është një nga pikat e ligjit që parashtruesit e kërkesës e kanë kontestuar.
“Përkitazi me zgjedhjen e dy (2) anëtarëve jo-prokurorë, parashtruesit e kësaj kërkese, pretendojnë se dispozitat e Ligjit të kontestuar që përcaktojnë zgjedhjen e 2 (dy) anëtarëve jo-prokurorë me shumicë të thjeshtë të votave në Kuvend, ‘…rrisin rrezikun që anëtarët e KPK-së të emëruar nga Kuvendi, të jenë persona, që potencialisht përfaqësojnë politikat e shumicës në Kuvend dhe jo persona me autoritet dhe integritet që marrin besimin gjithëpërfshirës të përfaqësuesve të popullit’”.
Më tej thuhet se sipas parashtruesve të kërkesës, në mënyrën se si është përcaktuar zgjedhja e dy anëtarëve jo-prokurorë nga Kuvendi, lehtësisht këta anëtarë mund të emërohen me vetëm tridhjetë e një vota të deputetëve, që si përfaqësim është minimal për emërimin e personave në këtë institucion të rëndësishëm kushtetues.
“Në këtë kontekst, parashtruesit e kësaj kërkese vlerësojnë se zgjedhja e këtyre anëtarëve të KPK-së, duhet të bëhet me ligj, dhe me votat e së paku gjashtëdhjetë e një (61) deputetëve ose me dy të tretat (2/3) e deputetëve që votojnë në procedurën e zgjedhjes së tyre nga Kuvendi. Kjo, sipas parashtruesve të kërkesës do të ishte një garanci për emërimin e personaliteteve me reputacion dhe me integritet profesional, ashtu siç e meriton ky institucion i rëndësishëm kushtetues që përfshin një shtyllë të rëndësishme të sistemit të drejtësisë. Pra, parashtruesit e kësaj kërkese, vlerësojnë se votimi me shumicë të thjeshtë, përkatësisht nga shumica e deputetëve që janë të pranishëm dhe që votojnë, cenon pavarësinë dhe integritetin e këtij organi të pavarur kushtetues, duke i dhënë kështu secilës shumicë parlamentare mundësi të madhe për ndikim dhe kontroll politik mbi anëtarët jo-prokurorë në KPK,”- thuhet më tej në Aktgjykim.
Po ashtu në Aktgjykim janë përfshirë edhe komentet e dorëzuara nga Këshilli Prokurorial, ku ndër të tjera thuhet, “ndërmarrja e veprimeve të njëanshme nga Ministria e Drejtësisë për ta ndryshuar Ligjin nr. 06/L-056 për Këshillin Prokurorial të Kosovës, pa filluar edhe me ndryshimet e tjera në ligjet bazike të sistemit të drejtësisë ashtu siç është paraparë me Strategjinë e Sundimit të Ligjit ka qenë tendencë për të ndërhyrë në pavarësinë e institucionit tonë”.
Më 19 korrik 2022, Ministria e Drejtësisë i dorëzoi në Gjykatë komentet e saj ndaj pretendimeve të parashtruesve të kërkesave, ku fillimisht theksoi se kërkesat e parashtruara janë “plotësisht të pabazuara”. Më tej, lidhur me iniciativën për ndryshimin e Ligjit bazik, Ministria e Drejtësisë, ndër të tjera, theksoi se nga Strategjia për Sundimin e Ligjit 2021-2026, rezulton në të gjetura përkitazi me funksionimin e KPK-së, duke filluar nga: “…përbërja, ku ka kritere kufizuese për anëtarësimin e personave jashtë sistemit prokurorial dhe se veçanërisht numri i prokurorëve në KPK është mjaft i madh, duke nënkuptuar se kriteret ligjore mundësojnë përfaqësim jo kualitativ dhe jo domosdoshmërisht të pavarur nga politika”.
Ndërkohë, në lidhje me ndryshimet në përbërje të KPK-së që rezultojnë përmes Ligjit të kontestuar, Avokati i Popullit, ndër të tjera, thekson se është me rëndësi që Gjykata të vlerësojë nëse të njëjtat janë në pajtim me dispozitat kushtetuese dhe nëse: “…cenohet pavarësia e Avokatit të Popullit sipas nenit 132 të Kushtetutës, po ashtu nëse cenohet ndarja e pushteteve,” si dhe funksionimi i pavarur i KPK-së, siç garantohet edhe me nenin 110 të Kushtetutës.
Sipas Avokatit të Popullit, mundësia që Avokati i Popullit të caktojë një (1) anëtar të KPK-së “…eventualisht do të mund të shihej si cenim i pavarësisë së Avokatit të Popullit, por edhe i asaj të KPK-së”.
Në Aktgjykim, janë përfshirë edhe dy Opinione nga Komisioni i Venecias për draftligjet e hartuara nga ministria e Drejtësisë.
Sipas Opinionit të parë të Komisionit të Venecias, “asnjë nga këto modele nuk është pa të meta”, sidoqoftë, (i) “çfarëdo modeli pluralist, është më i mirë se një model ku këshillat prokurorial janë të dominuar nga një grup monolitik i anëtarëve prokurorë, të nënshtruar ndaj Kryeprokurorit të Shtetit, ose një grup monolitik i të emëruarve politikë që i janë besnikë shumicës qeverisëse”; dhe (ii) është e rëndësishme që përbërja e KPK-së të jetë mjaftueshëm “pluraliste” për të siguruar që prokurorët të mos mund të qeverisin të vetëm dhe në të njëjtën kohë, që anëtarët jo-prokurorë, zgjedhja e të cilëve është bërë me votat e shumicës që përfaqësojnë shumicën qeverisëse, “të mos mund t’i mbivotojnë lehtë ata”.
Më tej shpjegohet se pas është bërë shqyrtimi i ankesave të parashtruesve dhe komentet e marra nga të gjitha palët e përfshira, Gjykata Kushtetuese ka vendosur të pranojë ankesën e partive opozitare, duke konstatuar se pikat e kontestuara të Ligjit nuk janë në përputhje me disa pika të Kushtetutës. Si përfundim, me anë të këtij Aktgjykimi, Ligji për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për KPK-në shpallet i pavlefshëm në tërësinë e tij.


