Publikohen rezultatet e AUV: Nuk ka vaj palme e qumësht pluhur në qumështin dhe jogurin VITA - NACIONALE

Publikohen rezultatet e AUV: Nuk ka vaj palme e qumësht pluhur në qumështin dhe jogurin VITA

1 orë më parë

nga NACIONALE

Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë më në fund ka dorëzuar raportet e analizave të qumështit dhe jogurtit tek Qumështorja Vita në Sinajë të Istogut.

Sipas raportit që ka publikuar Qumështorja Vita, tek mostrat e “Qumësht Vita 1L, 2L”, të marra me 3 korrik të këtij viti në Qumështoren Vita, nuk është detektuar sasi e qumështit pluhur.



Sa i përket vajit të palmës, raporti zyrtar i AUV gjithashtu potencon se “nuk është identifikuar sasi e shtuar e yndyrës bimore”, pra rrjedhimisht del që qumështi Vita nuk ka në përbërjen e tij as vaj palme e as qumësht pluhur.

Në mostrën e marrë më 13 korrik të këtij viti nga “Jogurt – 1 x 540 Gram”, të prodhuar nga Qumështorja Vita, raporti i AUV e klasifikon atë si të rregullt dhe se në të njëjtën mostër nuk detektuar sasi e niseshtes.

Gazetari i Gazetës Nacionale, Oqean Dërmaku, para disa ditësh kishte qenë në konferencën për media të organizuar nga AUV dhe Ministria e Bujqësisë, ku kishte pyetur drejtorin e AUV dhe ministrin Armend Muja nëse është gjetur prezencë e vajit të palmës në qumështin Vita konkretisht, pasi që është produkt vendor që konsumohet nga qytetarët, andaj të qartësohet për qytetarët nëse duhet të vazhdojnë konsumimin e këtij produkti.

Ministri Muja, me të qeshura e me akuza pa bazë ndaj gazetarit është munduar t’i ikë pyetjes, duke thënë se është gjetur vaj palme në Qumështoren Vita, por kur pyetej specifikisht për qumështin Vita, Muja nuk përgjigjej.

Gazeta Nacionale ka kërkuar qasje në të gjitha analizat e mostrave, të të gjitha kompanive e qumështoreve ku janë marrë nga inspektorët e AUV dhe janë në pritje të përgjigjeve nga kjo agjenci.

Në momentin e pranimit të dokumenteve, Gazeta Nacionale do të publikojë rezultatet për secilin produkt, të secilës kompani.


Lajme të ngjashme