Pse kryeministrit Kurti i ka rënë shkëlqimi në intervista? - NACIONALE

Pse kryeministrit Kurti i ka rënë shkëlqimi në intervista?

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Pas dy viteve, kryeministri Albin Kurti vendosi të përballet me gazetarët në studio televizive. Brenda 24 orëve ka zhvilluar dy intervista të gjata. Mirëpo, këto paraqitje nuk ishin shumë te lavdishme. Përgjigjet e tij dhe shmangja në pyetjet e gazetarëve kanë nxitur reagime të ndryshme. Përball Ermal Pandurit në “Debat Plus” dhe Adriatik Kelmendit në “Rubikon”, Kurti dukej i nervozuar dhe i mërzitshëm. Ndryshe nga Albin Kurti opozitar, që ishte interesant dhe me humor nëpër intervista, Albin Kurti kryeministër ishte krejt ndryshe.

Njohësit e rrethanave politike në vend kanë treguar se çka po i ngjan Kurti në këto paraqitje.

Ish-kryetari i LV-së, Visar Ymeri, i cili e njeh mirë kryeministrin Albin Kurti, ka dhënë konstatime interesante.

Sipas tij, Kurti nuk është debatues politik i afirmaconit.

Edhe për shkak të karakterit të tij si politikan, ky nuk di me u gjet. Dmth. Kurti nuk është qartazi debatues politik i afirmaconit, por është debatues politik i kundërshtimit. Në kundërshtim është ndryshe, aty vlejnë tjera rregulla. Aty është me lehtë me debatu, në kundërshtim jo domosdoshmërish ki nevojë me qenë konsistent. Në kundërshtim jo domosdoshmërish ki nevojë me qenë i saktë dhe i vërtet. Kështu është më lehtë, sepse e kundërshton tjetrin”, ka thënë Ymeri në “Debat Plus”.

Sipas tij, kur Kurti përballet me gazetar e ka më problem.

Në afirmacion duhet me u kujdes fort çka po thu, sepse je ka flet për punët tua që i kë bo ose që ki mi bo. Secila fjalë e jotja është një lloj zotimi. Tash Kurti nuk po din me u zotu, sepse nuk po di çka mundet dhe çka ka më bo në të ardhmen. E as nuk po di mirë me e shpjegu çka ka bë në të kaluarën. Sepse nuk është që ka bë shumë. Problem është me e livdu diçka që nuk ekziston dhe shumë më lehtë është me e kundërshtu një pozicion të tjetrit”, ka thënë Ymeri.

Ndër të tjera, ai ka thënë se sikletin e dytë kryeministri e ka me dialogun me Serbinë.

Ai ka vlerësuar se në këtë proces kryeministri Kurti është dorëzuar.

Sikleti i dytë është që ky qartazi po e din që veçanërisht në raport me dialogun me Serbinë ky tashmë është i dorëzuar. Dhe nuk po them se kjo është keq. Ky është i dorëzuar nga modeli i politikanit që ky e ka prezentuar veten dhe të cilin ky ka shpresuar se ka me e ndjek , ose që k pasur dëshirë me ndjek”, është shprehur Ymeri.

Paraqitjet e fundit të kryeministri i ka komentuar edhe gazetari Vehbi Kajtazi.

Në profilin e tij në “Facebook”, ai ka shkruar se në opozitë kryeministri Kurti ka qenë më atraktiv.

Sipas tij, Kurti më nuk po është interesant.

Njëherë në një kohë ka qenë interesant me këqyr Albin Kurtin në intervista e debate televizive. Premtonte mrekulli. Sot, kur është konfirmuar se asgjë prej te thënave të tij nuk është realizuar, intervistat e tij shikohen për shkak te intervistuesit”, ka shkruar ai.

Sipas tij, tani interesimi është me e dëgju gazetarin se cfarë pyetjesh po bën.

“Kureshtja është me e dëgju gazetarin -moderatorin se çka po e pyet, e si po e ballafaqon me vetveten. Shpejt edhe kjo kureshtje shuhet. Askush më nuk do të këtë kureshtje për ta dëgjuar Kurtin duke e demoluar Kurtin. Sepse dihet tashmë se armiku i Kurtit është Kurti”, ka shkruar Kajtazi.

Kurti në “Rubikon”

Në paraqitjen e tij në “Ribikon”, Kurti ka folur gjatë për qeverisjen e brendshme, zhvillimin e pretenduar ekonomik, njohjet e munguara e ikjen e dhjëtra mijëra qytetarëve nga Kosova gjatë dy viteve të qeverisjes së tij.

Ndoshta qëndrimi më befasues ishte pikërisht ky për ikjen e qytetarëve. Tash Kurti nuk e fajëson keqqeverisjen, por mungesën e ndërlidhjes së diplomës universitare me kërkesat e tregut të punës.

Unë besoj që qytetarët e lëshojnë vendin, kryesorja është meqenëse nuk kemi lidhje midis diplomave të universiteteve e fakulteteve tona dhe tregut të punës. Mendoj që ky është një ndër faktorët kryesor. Njerëzit që e lëshojnë Kosovën është arsye kanë që mbarojnë juridik, mbarojnë ekonomik, mirëpo është i ngopur tregu i punës për profesione, sepse asnjëherë nuk ka pasë një Qeveri që krijon urën midis arsimit dhe aftësimit profesional në njërën anë dhe tregut të punës në anën tjetër” – deklaroi Kurti.

Kurti në “Debat Plus”

Intervista e Kurtit në “Debat Plus” ishte e mbushur me tension. Por, jo me tensionin e rëndomtë – të paktën për vende demokratike – që buron nga sikleti i pushtetarit para një gazetari.

Tensioni i sotëm buronte nga sikleti i gazetarit që ndodhej para pushetarit. Problemi ishte se gazetari, Ermal Panduri, nuk ishte aq i informuar e i koncentruar.

Intervista dukej më afër psikologjisë se sa politikës. E para, me “obsesionin” e Kurtit për ta quajtur bash “obsesion” 'këtë punën' e qëndrimeve të tij. E dyta, për shkak të mohimit për ta pranuar se ka ndryshuar fjalët. E treta, nga pasiguria e gazetarit Panduri për t’u shprehur. Dhe e katërta, nga sikleti që na rridhte prej kësaj pasigurie.

Ta kalojmë këtë temë se kemi ardhë për tjetër temë...” – i tha Kurti me nervozë gazetarit Panduri në një moment në fillim të intervistës.

Pastaj – po në fillim - derisa gazetari po përmendte qëndrimet e shkelura të Kurtit ndër vite ai u shpreh si vijon: “Dmth, ende s’ka fillu emisioni...”.

Gjatë këtyre dy viteve, kryeministri Kurti ka dhënë shumë intervista me media rajonale dhe ndërkombëtare, por shumë pak për ato vendore.

Lajme të ngjashme