Pse argumentet e Kurtit po përngjajnë shumë me ato të Sadri Ramabasë? - NACIONALE

Pse argumentet e Kurtit po përngjajnë shumë me ato të Sadri Ramabasë?

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Imagjinoni sikur të zgjoheni nga gjumi dhe ta kuptoni që shteti juaj udhëhiqet nga Sadri Ramabaja. Me shumë gjasë do të donit të ktheheshit në gjumë. Por, s’ka nevojë ta imagjinojmë e as të kthehemi në gjumë. Në një mënyrë, shteti juaj udhëhiqet nga Sadri Ramabaja. Qe pse.

Gjatë ditës së djeshme, politikës ditore të vendit iu shtuan dy publikime. Njëra ishte intervistë e dhënë nga kryeministri Albin Kurti për Vecernji List. Tjetra ishte analizë e shkruar nga analisti Sadri Ramabaja.

Gjuha e përdorur nga të dyja këto publike për partnerët e Kosovës ishte mjaft e rëndë.

ASIMetria e BE-së dhe ShBA-së

Sadri Ramabaja në shkrimin e tij konstaton që edhe ShBA-ja e edhe BE-ja po e mbështesin Serbinë në kurriz të Kosovës.

Por, ndërsa ShBA-ja po e mbështet shkaku i “interesave eksplicite amerikane të ndërlidhura me luftën në Ukrainë”, BE-ja po e mbështet “në funksion të revizionizmit të historisë të fundshekullit të kaluar dhe përpjekjeve për ta zhbërë Republikën e Kosovës si entitet politik.”

Pra, Ramabaja thotë që BE-ja edhe po bën revizionizëm të historisë së fundshekullit të kaluar kur Kosova përfitoi lirinë nga Serbia por edhe po përpiqet që ta zhbënë Kosovën si “entitet politik”.

Kurti e përdori një alegori për të goditur ShBA-të dhe BE-në.

“Brukseli dhe Uashingtoni kanë vënë bast për kalin e gabuar në Serbi, në presidentin e atjeshëm. Në fund doli që nuk ishte fare kalë, por dhelpër.” – u shpreh ai.

Tutje, kryeministri i Kosovës vazhdoi duke e akuzuar ShBA-në dhe BE-në për “asimetri drastike në qasje”.

Fatmirësisht, Kurti nuk po thotë që Bashkimi Evropian po përpiqet ta zhbëjë Kosovën si “entitet politik” por është evident eskalimi i tij në gjuhë.

Lufta

Edhe Kurti por edhe Ramabaja folën për mundësinë e një lufte gjatë publikimeve të djeshme.

“A kishit frikë në një moment se do të kishte luftë, për shkak të gjithë këtyre tensioneve, dhe kur Vuçiqi dërgoi ushtrinë në kufi?” – është pyetja që i shtrohet kryeministrit Kurti nga Vecernji List.

Megjithëse pyetja i shtrohet qartazi për të kaluarën, përgjigja e Kurtit është për të ardhmen:

“Nëse do të ketë një luftë apo jo, varet nga Beogradi. Në këtë kuptim, situata nuk ndryshon shumë nga tre dekada më parë. Ne jemi këtu për të qenë të kujdesshëm dhe të fortë, por kurrë nuk frikësohemi. Shtetet që kanë një kompleks superioriteti, kur tkurren ose dobësohen, bëhen të rrezikshme.”

Në anën tjetër, Ramabaja si rëndom në publikimin e tij është edhe më radikal në pretendimet e tij se kryeministri. Ai konsideron se do të ketë luftë.

“Provokimet e Serbisë me ushtri dhe njësitë terroriste të saj brenda territorit të Republikës ës Kosovës, janë thjesht një prelud i sulmit të pajustifikueshëm të Serbisë ndaj Kosovës, që do të ketë pasoja të tmerrshme për rajonin.”shkruan ai.

Zgjerimi i frontit të luftës

Ajo që përbashkon dy mendjet protagoniste të këtij teksti është edhe stërtheksimi i përpjekjes së Vladimir Putinit që ta zgjerojë frontin e luftës.

Vitin e kaluar gjatë pushimeve verore në Greqi, kryeministri Kurti kishte thënë se e kishte një parandjenjë.

“Unë nuk them që ata (Serbia) do të sulmojnë këtë muaj apo muajin tjetër, nuk mendoj se ka gjasa të ndodhë. Ajo që më brengos mua është se nëse pas Ukrainës kemi edhe një konflikt, edhe një “spill over” diku tjetër, atëherë Ballkani do të jetë episodi numër tre.” – ishte shprehur kryeministri.

“Nuk mendoj që jemi episodi numër dy. Deri më tani kemi pasur episodin numër një në Ukrainë, parandjenja më thotë që ne me siguri do të jemi episodi numër tre.”kishte vazhduar ai.

Edhe Ramabaja në shkrimin e djeshëm e theksonte një gjë të tillë, por duke u treguar më specifik:

“Dy ishin mundësitë për zgjerim të këtij fronti: e para, në vendet e Baltikut, ku pakica ruse kishte një shtrirje të mirë në tri ish republikat baltike që ishin pjesë e BRSS-së – Estoni, Lituani dhe Letoni; e dyta, në Siujdhesën Ilirike [Ballkain Perendimor], me theks në Bosnjë dhe Kosovë. Në dhjetorin e vitit 2022 Serbia kishte bërë testin e parë serioz për shpërthimin e flakëve të lufëts, duke instaluar barrikadat në rrugë dhe përgatitur istikamet e luftës që qenë shoqëruar me dislokimin masiv të ushtrisë serbe pranë kufijve të Kosovës, pavarësisht 48 bazave ushtarake e policore të përhershme që ka kohë i ka instaluar gjithandej kufirit me Kosovën. Sidoqoftë, bllokimi i rrugëve nga demonstruesit do të pasonte me shkëmbim zjarri mes palëve...” – shkruante z. Ramabaja.

Pse kjo ngjashmëri?

Sadri Ramabaja vazhdon të jetë aktivist i Vetëvendosjes dhe njëkohshëm edhe anëtar i Këshillit të Përgjithshëm të kësaj partie. Ai është marrë aktivisht me gjeopolitikë, siç e ka emërtuar edhe portalin e tij që ia kishte financuar edhe Kryeministria: Instituti Shqiptar për Gjeopolitikë.

Në Vetëvendosje numri i aktivistëve që merren me rrethanat gjeopolitike është megjithatë i vogël, çka e lë Ramabanë të jetë më i shquar mes zërave të rrallë të kësaj partie për këtë temë.

Intervista e plotë e z. Kurti:

Analiza e plotë e z. Ramabaja:

Lajme të ngjashme