Protesta e serbëve në Rudarë: Raportohet për turma të mëdha, flasin Policia dhe Vuçiqi - NACIONALE

Protesta e serbëve në Rudarë: Raportohet për turma të mëdha, flasin Policia dhe Vuçiqi

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Një protestë e madhe është paralajmëruar në Rudarë nga serbët e vendit tonë. Çka saktësisht po ndodh?

Ekipi i Nacionales tashmë ka arritur në vendin e ngjarjes dhe njofton redaksinë se kolona për të mbërritur në Rudarë është shumë e gjatë.

“Kryesisht veturat janë me targa 06, 02 dhe 01.” – ka thënë gazetari i Nacionales Festim Gërguri. Kujtojmë që presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, iu bëri thirrje edhe qytetarëve nga jugu i vendit që të merrnin pjesë në këtë protestë.

Në Rudarë duhet të kujtojmë se ndodhet edhe një barrikadë.

Sipas gazetarit të Nacionales mekanizmat e institucioneve të sigurisë (përveç KFOR-it) nuk janë parë në (sic) “thellësi të zonës” megjithëse në hyrje të qytetit të Mitrovicës kishte zyrtarë policorë të Policisë së Kosovës dhe të EULEX-it.

Çka thotë Policia?

Policia e Kosovës ka lëshuar një komunikatë në të cilën flet për protestën e sotme të paralajmëruar në veri të Mitrovicës.

“Duke ditur rrethanat dhe situatën e brishtë të sigurisë të krijuar nga grupet kriminale në veri të vendit dhe tendencës për destabilizim të situatës, Policia e Kosovës fton qytetarët që të kenë vëmendje dhe kujdes të shtuar përgjatë thirrjes së kësaj proteste, të protestojnë në mënyrë të qetë dhe të mos bien pre e provokimeve të mundshme, të çfarëdo natyre qofshin ato.” – thotë mes tjerash Policia.

Vuçiqi?

Me anë të një postimi në Instagram, presidenti serb Aleksandër Vuçiq ka folur në lidhje me këtë protestë duke iu dhënë ‘zemër’ protestuesve.

Ai u shpreh se kjo do të ishte një “protestë e madhe, popullore dhe demokratike e serbëve nga Kosova dhe Metohia, nga veriu dhe jugu dhe nga të gjitha zonat ku jetojnë serbët.”

Sipas presidentit të Serbisë, serbët po kërkojnë vetëm atë që u takon. Çka është ajo sipas Vuçiqit?

“Të jesh i lirë, të kesh të drejtën e lëvizjes, të shkojë në shkolla e spitale, të mbrojë jetën dhe perspektivën e fëmijëve, lirimin e të arrestuarve pa arsye...” – u shpreh z. Vuçiq.

Kjo protestë është thirrur nga i ashtuquajturi Shtabi i Krizës që përbëhet nga zyrtarë të Listës Serbe. Ky shtab si arsye ka përmendur disa deklarata të Kurtit dhënë për The Guardian duke i interpretuar ato në mënyrë tendencioze. Kurti kishte thënë që nuk përjashtohej mundësia që të kishte viktima nëse Kosova do të vendoste të hiqte barrikadat.

Se në këtë protestë ka edhe serbë nga jugu i Kosovës thotë edhe mediumi Kosovo-Online përmes një artikulli që i dedikohet kësaj ngjarjeje.

Lajme të ngjashme