“Propagandues”, “oborrtar i Baton Haxhiut”: Zëdhënësi i VV-së kapet me gazetarin në Facebook për Berishajn
Arlind Manxhuka, zëdhënës i Lëvizjes Vetëvendosje, është gati vazhdimisht e zakonisht i vëmendshëm ndaj asaj se çfarë shkruajnë mediet. Ndonëse i paautorizuar për të bërë redakturën e raportimeve, z. Manxhuka nuk përton të shkruajë në lidhje me atë se çfarë raportojnë gazetat e televizionet.
Por kësaj radhe, në një status të tij, Manxhuka është përplasur me një gazetar me emrin Lirim Mehmetaj, që punonë në portalin “Albanian Post”, i cili menaxhohet nga z. Baton Haxhiu, një veteran i medies në Kosovë.
Mehmetaj e ka quajtur “propagandues” z. Manxhukën, duke e kritikuar në lidhje me reagimin e tij për Martin Berishajn, ambasador i Kosovës në Kroaci.
“Propagandues, nuk është duke thënë trillim i pastër për Martin Berishajn, por për këtë vetë. Se Martin Berishaj është paguar nga GEN-I Beograd e ka thënë vetë Berishaj në komision parlamentar. Edhe se ka kompani në Mal të Zi të cilën nuk e ka deklaruar sipas rregullave në Kosovë e ka pranuar vetë në deklarimin e njëjtë para deputetëve. Se nuk i ka deklaruar këto të ardhura e ka thënë Agjencioni Kundër-Korrupsion i Kosovës, prandaj edhe i ka bë kallëzim penal. Ndërsa lajmin që ka kallëzim penal edhe për shpëlarje parash dhe ikje nga taksat e ka publiku ky medium të cilin e ke shpërnda, pra Kohavizioni.” – shkroi ndër të tjera ai.
E Manxhuka ia ktheu komentin, duke e quajtur “oborrtar të Baton Haxhiut” (ndonëse Nacionale nuk e di që Haxhiu është bërë monark i ndonjë shteti, që z. Mehmetaj të quhet oborrtar).
“Lirim Mehmetaj me vjen keq qe i gjithe mundi per te sajuar shpifje po te hidhet poshte cdo dite. Nuk mund te ndertosh rrefim me genjeshtra.
Keni larguar disa here kampin Bondsteel nga Kosova, keni gjetur eshtrat e profesorit Ushin Hoti, dhe pikerisht per lajmet tuaja Ambasada Amerikane pati deklaruar se kane prejardhje nga Rusia. Mua me vjen keq qysh juve nuk ju vjen keq. Per bese.
Dhe tek e fundit cfare gazetari mund te jesh duke sherbyer si oborrtar i Baton Haxhiut? Kurrfare.” – ishte përgjigja e Manxhukës.
E një kundërpërgjigje pati edhe gazetari i Albanian Post.
"Arlind Manxhuka faleminderit shumë. Fakti se refuzon të më përgjigjesh në çfarë konkretisht kam shkruar, por thërret të kaluarën në ndihmë e përshtypjet tua subjektive për persona e situata paraprake flet qartësisht se ti s’ke as edhe një argument që i replikon asaj që kam shkruar unë.
Nëse do të flasësh për diçka tjetër e jo për Martin Berishajn – ambasadorin që po hetohet nga institucionet e Kosovës – shkruaj një status tjetër dhe ta sqaroj aty." - shkroi tutje Mehmetaj.
