Prokuroria kërkon paraburgim për Nagip Krasniqin: Dyshohet për tri vepra - NACIONALE

Prokuroria kërkon paraburgim për Nagip Krasniqin: Dyshohet për tri vepra

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Prokuroria Speciale ka njoftuar se ka kërkuar nga Gjykata Themelore në Prishtinë caktimin e masës së paraburgimit për kryeshefin ekzekutiv të Korporatës Energjetike të Kosovës, Nagip Krasniqi.

Përmes një komunikate për media, bëhet e ditur se Krasniqi dyshohet për tri vepra penale: “keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar, “ushtrim i ndikimit” dhe “konflikt i interesit”.

“Ju njoftojmë se Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK), ka bërë kërkesë për caktimin e paraburgimit pranë Gjykatës Themelore në Prishtinë – Departamenti Speciale, ndaj të pandehurit me inicialet N.K. për shkak të dyshimit të bazuar se i njëjti ka kryer veprat penale ‘’Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar’’ nga neni 414 paragrafi 2 lidhur me paragrafin 1 të KPRK, ‘’Ushtrimi i ndikimit’’ nga neni 424 paragrafi 1 të KPRK-së, dhe veprën penale ‘’Konflikti i interesit’’ nga neni 417 paragrafi 2 lidhur me paragrafin 1 të KPRK-së.” – është bërë e ditur në njoftimin për media.

Kryeministri i del në mbrojtje

Në adresimin e tij, kryeministri ka mbrojtur drejtorin e KEK-ut i cili dje është arrestuar nën dyshime për keqpërdorim të detyrës zyrtare.

Kurti në fjalën e tij para deputetëve të Kuvendit të Kosovës ka pretenduar se opozita i është gëzuar arrestimit të drejtorit të kësaj korporate.

“Në anën tjetër është fakt se dje pati një gëzim opozitar për arrestimin e kryeshefit Krasniqi. Por, ky është fakti i opozitës, nuk është fakt i çështjes. Ne e dimë se ka pasur shumë kryeshefa në KEK në të kaluarën, ka pasur keqpërdorim marramendës që asnjëherë nuk janë trajtuar nga sistemi drejtësisë.” - ka thënë Kurti.

Ndërkohë, kryeministri shfyrtëzoi rastin që ta sulmojë kryeprokurorin Isufaj, duke i përmendur disa raste të hetimit.

“Unë nuk kam dyshim që në prokurorinë e shtetit dhe atë sa më lart aq më shumë, ekziston një disponim negativ ndaj qeverisjes sonë. Dhe kjo lidhet më shumë se askë tjetër me figurën e prokurorit Blerim Isufaj. Një prokuror i njohur në skenën publike i cili rastin e vrasjes së Dino Hasanajt e karakterizoi në vetëvrasje.” - ka deklaruar Kurti në Kuvend.

Ai madje, pretendoi se Isufaj s’e ka fituar asnjë rast në Gjykatë.

“Asnjë rast nuk e ka të fituar në gjykatë. Ky dëshiron të bëhet kryeprokuror përkundër vullnetit të qeverisë e presidencës. Përkundër përvojës së hidhur që ka gjithë vendi me të dëshiron të bëhet kryeprokuror. Vendi më i lakmuar në republikën tonë del të jetë pozita që bën alukimin e rasteve e ky është kryeprokurori i shtetit. Sistemi lëngon se kemi një prokuori që nganjëher s’don, nganjëherë s’din.” – tha kryeministri.

Çka ndodhi dje?

Departamenti i Krimeve Ekonomike i Policisë së Kosovës zbarkoi gjatë ditës së djeshme në Korporatën Energjetike të Kosovës (KEK) dhe kryen bastisje.

U bë e ditur se hetimet u kryen për shkak të dyshimeve për keqpërdorim të një tenderi për remontin e Bllokut A5 të Termocentralit “Kosova A”.

Edhe më parë, Nacionale kishte raportuar gjerësisht në lidhje me shtyrjen e vazhdueshme të remontit në këtë bllok, derisa ka pasur shfajësime të ndryshme edhe nga zyrtarë të pushtetit përfshirë zëvendëskryeministrin Besnik Bislimi.

Gazeta kishte mësuar që humbjet nga mosfunksionalizimi i këtij blloku ishin rreth një milion euro në ditë.

E gjatë ditës së sotme, Policia e Kosovës nisi bastisjen në ambientet qendrore Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK) në Prishtinë, ku më pas u mësua edhe për arrestimin e drejtorit ekzekutiv, Nagip Krasniqi.

Një burim i mirinformuar i gazetës Nacionale brenda policisë ka bërë me dije se dyshimet ndaj Krasniqit kanë të bëjnë me kontratat për renovimin e kaldajave së bllokut A5.

Lajme të ngjashme