Projektligji për zyrtarët publikë | Hoti: Është kundër zyrtarëve publik, kjo mund të konkludohet nga përmbajtja
Projektligji për Paga ka ngjallur shumë pakënaqësi te disa zyrtarë publikë. Ky projektligj, i cili dje është shqyrtuar edhe nga Komisioni për Administratë Publike, pritet të ua ulë koeficientin zyrtarëve profesional që punojnë në Kuvend të Kosovës.
Ish-kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, ka thënë se ky projektligj në fakt është “Projektligj KUNDËR zyrtarëve publik”.
Për këtë Hoti ka renditur disa argumente të cilat sipas tij pasqyrojnë përmbajtjen e këtij projektligji:
1. Projektligji e dëmton parimin bazë të shërbimit civil të bazuar në merita, që është i aftë për të tërhequr dhe mbajtur profesionistët. Kjo për shkak se: (i) shtohet ndikimi politik në rekrutim, transferim dhe ngritje në detyrë, si dhe (ii) ndryshohet sistemi i karrierës përmes futjes së mandateve dhe rekrutimit të jashtëm për të gjitha pozitat drejtuese. Mandati katër vjeçar mund të përkojnë me mandatin e një qeverie, e cila gjë e lë administratën të cenueshme ndaj ndikimeve politike.
2. Një vit nga hyrja në fuqi e ligjit, drejtuesit me kontrata të përhershme i nënshtrohen konkursit. Kjo bie ndesh me parimin e “të drejtave ligjore të fituara”, siç përcaktohet me ligjin në fuqi dhe me praktikën gjyqësore ndërkombëtare të shërbimit civil, ku rregullat nuk duhet të ndryshohen në dëm të personelit në detyrë.
3. Transferimi i përkohshëm i shërbyesit civil është në diskrecionin e drejtuesit të lartë të institucionit dhe mund të bëhet pa pëlqimin e zyrtarit. Kjo e hap mundësinë e keqpërdorimit të ligjit për interesa politike e personale dhe e rrit ekspozimin e shërbimit civil ndaj politikës.
4. Procedurat disiplinore nuk kanë siguri dhe proporcionalitet, si dhe nuk dihet se si do të bëhet individualizimi i masave disiplinore për çdo shkelje.
5. Sipas nenit 120 të MSA-së, Qeveria e Kosovës është e obliguar të koordinohet me BE-në në reformën e administratës publike, përfshirë projektligjin për zyrtarët publik dhe projektligjin për pagat. Është e qartë sipas letrave zyrtare të BE-së se nuk ka koordinim për versionet aktuale për të dyja këto projektligje.