Profil | Bujar Dugolli – analisti që ‘s’ishte larë’ dhjetë vjet, kur përnjëherë u bë me Albin Kurtin
Ardhja e lirisë, natyrisht, nuk ndreqi përnjëherë gjithçka. Kosova ishte e rrënuar ekonomikisht, dhe mijëra familje kosovare e përjetuan rëndë atë rrethanë. Në përpjekje për të shpjeguar atë mjerim, mori dhenë edhe fjala “korrupsion”.
“Hajni, papunësi, korrupsion,” – thoshin shumë qytetarë të Kosovës gjatë viteve ‘2000 kur pyeteshin nga gazetarët.
Fjala korrupsion nuk ka rrënjë shqipe dhe natyrisht se pritej të mos popullarizohej aq sa u popullarizua. Bile as nuk tingëllonte shqip. Por, u bë mes fjalëve më të popullarizuara ndoshta se, i jepte popullit ndjesinë se po përthekonte çdogjë të keqe që po bënin qeveritarët e tyre.
Dhe kur përmendej korrupsioni, ndërmend vinte Bujar Dugolli bashkë me kolegët e tij ministra nga Qeveria Çeku e Qeveria Kosumi. Ata ishin mes të parëve që ishin akuzuar nga opozitarët për korrupsion.
Dugolli shërbeu si ministër i Tregtisë dhe Financave prej dhjetorit 2004 e deri në janarin e 2008-s, pasi kishte shërbyer paraprakisht si deputet dhe sërish si ministër (1999-2000). Mes çështjeve më të zhurmshme ishte shitja e ndërmarrjes Feronikeli.
Qysh u bë analist?
Analist nuk lind, bëhesh. Dhe, Dugolli u bë analist kur e mori vesh përfundimisht se kah po frynte era. Ishte viti 2020. Në prag të 50 përqindëshit.
Bujar Dugolli nuk ishte larë për kohë të gjatë. Ndoshta për dhjetë vjet. Pas pushtetit si ministër, ai përsëri donte pushtet. U rikyç shkurt në politikë përmes PDK-së në një garë për deputet. E më pas, deshi të bëhej dekan. Dhe meqë s’dinte ta përdorte si duhet shkronjën Ë, u bë “dekanë”.
Për një kohë të gjatë, s’ju dëgjua zëri për çështje politike. Por, as nuk dihej se kah po çonin rrjedhat politike. Megjithatë, me kalimin e kohës u kuptua nga i madh e i vogël se Albin Kurti do të fitonte dhe... Bujar Dugolli kërceu në varkën e tij. Pasi kishte përfituar gjatë nga pushtetet përmes pozitave, ai kishte nevojë të lahej. Kurti, ia jepte këtë mundësi.
Qysh? Kurti paraqet në publik supremacinë morale të tij karshi të tjerëve. Ai që i afrohet, përnjëhershëm, na duket si më i pastër. Dhe, Bujar Dugolli sot mund t’i duket si më i pastër njerëzve të Kosovës që i kujtojnë e s’i kujtojnë vitet ‘2000.
Specifika: Në siklet
Më shumë se me atë që thotë, Bujar Dugolli shquhet për grimasat e fytyrës së tij. Duket se mendimet që i shpreh nuk i ka të njëmendta. Nuk qëndron prapa tyre. I thotë për shkak se duhet t’i thotë për interesa të tij. E prandaj, është në siklet edhe kur kupton që rrjedha e argumentit e çon në një pikë përplasjeje me të tjerët... ose thjesht e çon në ekstrem si shumë analistë tjerë pro-VV.
Kush i shkon nerva?
Rron Gjinovci, natyrisht. Ai e ka akuzuar si plagjiator. Nuk denjon që ta shohë më shumë se një njeri të ish-regjimeve. Dhe është pjesë e krahut të njëjtë politik që mbështet.
Tashmë e kemi potencuar në këto profile që analistët e së njëjtës palë urrehen më shumë me njëri-tjetrin se me të palës tjetër. Kjo sepse... mendimet shpesh përsëriten. Dhe, edhe vidhen.
Kosova ideale?
Na besoni, as Bujar Dugolli nuk e di se si është Kosova ideale sipas Bujar Dugollit. Nëse larja nuk i shkon aq mirë, një ditë prej ditësh mund ta shihni edhe duke avokuar për Bashkim Kombëtar.
Kosova distopike?
E vetmja e keqe e njohur për Bujar Dugollin është Serbia. Çlirimi nga Serbia, shenjon edhe fundin e mendimit të tij politik bazuar në njëmendësinë e analizave politike të bëra prej tij. Një stagnim gjigjant.
Orientimi politik: S’ka
Dugolli mund të bëhet i majtë, i djathtë, i qendrës për çështje sekondash.
Nota: 1/10
Me pjesëmarrjet e tij në debatet televizive, Bujar Dugolli nuk i ka dhënë asnjë mendim përndritës publikut. Hajt, na e thoni një të vetëm nëse nuk pajtoheni me notimin tonë? Për më tepër, ai nuk i ka kontribuar as sqarimit – një aftësi e disa analistëve – rritjes së seriozitetit në debat apo konflikteve me analistët tjerë.

