‘Prodhimi në rënie’: Prodhuesit vendor kërkojnë ‘urgjentisht të shtyhet’ vendimi, Rizvanolli u organizon seminar për të bërë llaf - NACIONALE

‘Prodhimi në rënie’: Prodhuesit vendor kërkojnë ‘urgjentisht të shtyhet’ vendimi, Rizvanolli u organizon seminar për të bërë llaf

1 vit më parë

nga NACIONALE

  • Të ndërpritet urgjentisht zbatimi i vendimit (të ZrrE-së).

Tash gati një javë që kur vendimi i Zyrës së Rregullatorit të Energjisë (lexo: Qeverisë në detyrë të Kosovës) ka hyrë në efekt për të ashtuquajturin treg të lirë të energjisë – i.e, monopol, me vetëm një ofertues, KESCO-n, me çmime trefish – prodhuesit vendor kanë ngrerë alarmin për disa raste të pezullimit të operacioneve prodhuese.

Nga Oda Ekonomike Amerikane kanë njoftuar se “së paku dy fabrika” kanë pezulluar aktivitetin prodhues ndërsa kanë kërkuar që urgjentisht të shtyhet vendimi i ZRrE-së deri në krijimin e kushteteve dhe përgatitjeve që ky vendim të mund të jetë edhe vetë ligjor. OEAK citoi shqetësimin e shprehur nga vetë Bashkimi Evropian se dalja në treg të lirë duhet të jetë “graduale dhe e menaxhuar” dhe jo thjesht-ashtu.

“Barrë e papërballueshnme për bizneset e mëdha”, thanë nga Oda Ekonomike Amerikane në një kumtesë për media ku i kërkohet ZrrE-së “ta ndërpresë urgjentisht procesin” deri në përmbushjen e parakushteve thelbësore të vendimit.

“Paralajmërimet e përfaqësuesve të sektorit privat tashmë po bëhen realitet, meqë pak ditë prej kur ka hyrë në fuqi liberalizimi i tregut, të paktën dy kompani prodhuese kanë njoftuar pezullimin e operacioneve, duke përmendur kostot e energjisë elektrike dhe paqëndrueshmërinë e krijuar si arsye kryesore, ndërsa institucionet shtetërore janë informuar për këto zhvillime. Kjo konfirmon se liberalizimi, siç ka nisur të zbatohet, nuk është vetëm i parakohshëm, por po dëmton edhe aktivitetin ekonomik të Kosovës dhe klimën e investimeve”, thanë OEAK.

Lidhja e Bizneseve të Kosovës tha se gjendja në terren është alarmante dhe se “pasojat tashmë kanë filluar të ndihen”. LBK tha se “prodhimi është në rënie” dhe se “disa kompani kanë pezulluar prodhimin”.

“Rreziku për nhumbjen e tregjeve në Bashkimin Evropian është real. Më tej, kjo do të sjellë humbje të vendeve të punës dhe pasiguri afatgjate për gjithë ekonominë e vendit”.

“Kërkojmë me urgjencë që Bordi i ZRRE të shtyjë zbatimin e plotë të liberalizimit për të paktën 1–2 vite, në mënyrë që të bëhen përgatitjet e nevojshme për një kalim të sigurt dhe të qëndrueshëm drejt tregut të lirë energjetik. Ky nuk është një apel për të ndalur reformat, por një thirrje për të menaxhuar tranzicionin me përgjegjësi dhe në interes të ekonomisë kombëtare”, thanë ata.

Lidhja e Bizneseve të Kosovës më tej citoi deklarimin e BE-së në lidhje me çështjen e derregulliit të tregut të energjisë elektrike – se ajo duhet të jetë “graduale” dhe “e menaxhuar”.

Qeveria nuk zbrapset, deputetja Rizvanolli i fton në një “seminar”.

Deputetja që ushtron edhe postin e ministres së ekonomisë në detyrë, organizoi një “seminar” për të, siç tha ajo, adresuar shqetësimet e bizneseve.

“Bazuar në nevojën dhe kërkesën tuaj, po organizojmë një seminar për të adresuar çështjet kryesore që janë ngritur gjatë takimit të fundit me ju dhe furnizuesit. Ky seminar është vazhdimësi e diskutimeve paraprake dhe i paraprin një takimi B2B me biznese e furnizues, me qëllim që në takimin B2B të jeni sa më të përgatitur për të vlerësuar e negociuar kontratat më të favorshme për ju. Ftojmë të gjitha bizneset në treg të hapur (dhe jo vetëm) të marrin pjesë”, tha ajo.

Lajme të ngjashme