‘Prindërit e mi s’kanë shkelur në Qeveri’: Kurti kritikohet pasi u frye për mungesë nepotizmi
Një deklaratë e kryeministrit Albin Kurti ku lavdërohet për mungesë të nepotizmit, pavarësisht raportimeve për punësime nëpër institucione të ndryshme të familjarëve e përkrahëse të Lëvizjes Vetëvendosje, po komentohet nëpër rrjete sociale. Çka tha ai dhe çfarë reagime po merr?
Kryeministri Kurti në një prej paraqitjeve të tij gjatë ditës së sotme u pyet edhe për punësimin e aktivistit të VV-së, Rilind Gërvalla në pozitën si drejtor në RTK.
Për të rikujtuar, Gërvalla ishte zgjedhur me tetë vota pro të anëtarëve të bordit të transmetuesit publik për t’u emëruar në këtë pozitë.
Çka tha Kurti?
Fillimisht, kryeministri i vendit u shpreh se nuk ka pasur interesim për të kuptuar se kush po zgjidhet drejtor në RTK.
“Nuk kam pasur dhe as që kam gatishmërinë e as interesim se kush zgjidhet në RTK, jam i interesuar ta shoh qe RTK është lider sepse besoj në shërbimin publik. Në vitet e kaluara ka pas shpërputhje midis buxhetit dhe programit. Programet kulturore edukative, kur nuk mund të presësh shumë prej televizoneve private e kanë vendin në televizionin publik.” – ka thënë ai.
Më pas, ai përmendi edhe familjen e ngushtë të tij, duke thënë se vëllëzërit dhe prindërit “nuk ia kanë shkelur pragun e ndërtesës së Qeverisë”.
“As dy vëllezërit e mi as dy prindërit e mi nuk kanë shkelë pragun e ndërtesës së qeverisë dhe nuk do ta bëjnë këtë.” – është shprehur Kurti.
“Seriozisht?”
Një prej personave të parë që i reagoi kryeministrit për këtë deklaratë, ishte deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Doarsa Kica-Xhelili.
“Ai u përgjigj që mbase është i vetmi kryeministër që nuk ka asnjë me mbiemër të njëjtë të punësuar në ndonjë ministri. Seriozisht? A mund ta imagjinoni? A mund ta analizoni si përgjigje? Domethënë, sipas tij, rehatimi i mbështetësve, bashkëpartiakëve, donatorëve të VV, madje edhe përfshirja e tyre në afera potenciale milionëshe në sektorin energjetik dhe jo vetëm, AMNISTOHET, sepse nuk e paskan mbiemrin Kurti.” – u shpreh ajo në një shkrim në Facebook.
Kica-Xhelili e pyeti kryeministrin Kurti edhe se ku e ka shtëpinë e familjen, ku e arsimon vajzën e tij, duke u shprehur si vijon: “Shtëpinë ku e ke? Më të rëndësishmen, familjen, gruan e vajzën, ku? Ku i arsimon? Ku i shëron? A ballafaqohet vajza jote në shkollë me bullizimin që fëmijët e politikanëve në Kosovë i kanë duruar deri në vaj depresiv për shkak të diskursit tënd kur ti i shpallje tradhëtarë? Varret e gjyshërve e babgjyshërve, dhimbjen e familjarëve të vrarë me mbiemrin tënd, a e ke?”
Ndërkohë, në lidhje me këtë, një reagim e ka bërë edhe drejtori i Institutit Demokratik të Kosovës, Ismet Kryeziu, i cili ka thënë se nepotizmi e rekrutimi në baza partiake nuk janë kushte e as vlera.
Ai tutje ka thënë se kryeministri i Kosovës është udhëheqës qeverie dhe se “trajtimi i vetës si individ i pastër”, është tendencë për lajthitje të publikut.
“Nepotizmi dhe rekrutimi bazuar në përkatësinë partiake, nuk janë kushte e as vlera mbi të cilat matet pastërtia e individit, në këtë rast Albin Kurtit, por vlera dhe standarde për qeverisjen e udhëhequr nga kryeministri Kurti. Ai nuk është aty individ, por udhëheqës qeverie dhe trajtimi i vetës si individ i pastër, është tendencë e lajthitjes së publikut dhe shmangie e përgjegjësisë nga dukuritë korruptive.” – tha ai në një shkrimi në Facebook.

