Presioni për dinarin, eksponentët e VV-së me kritika të ashpra për ShBA-në dhe BE-në: “Argat të Serbisë”, “të jenë më të kujdesshëm”
Presionin e ShBA-së dhe BE-së ndaj Kosovës për çështjen e ndalimit të dinarit serb në Kosovë nuk është mirëpritur nga zyrtarët e lartë të Lëvizjes Vetëvendosje.
Ata kanë kritikuar partnerët perëndimorë për sjellje të padrejtë ndaj Kosovës, duke thënë se SHBA-ja dhe BE-ja duhet të kenë kujdes me deklaratat e tyre.
Deputeti i VV-së, Armend Muja, deklaratat e ShBA-së dhe BE-së i ka cilësuar si të pamatura.
Sipas tij, ndërkombëtaret duhet të jenë më të kujdesshëm në raport me Kosovën.
“Nuk parashoh probleme, mirëpo si rëndom në momentin që ka ndonjë ndryshim të ekuilibrit, ditët e para zakonisht vijnë ca deklarata, që unë besoj se janë të pamatura dhe duhet të jenë më të kujdesshme”, ka thënë Muja në emisionin “Interaktiv” të KTV-së.
Më i ashpër ka qenë deputeti tjetër i VV-së, Mefail Bajqinovci.
Në profilin e tij në “Facebook”, ai ka shkruar se SHBA-ja dhe BE-ja duhet të ndryshojnë qasjen e tyre.
Sipas tij, në raport me Kosovën ata po tregohen luan, kurse në raport me Serbinë pulë.
“Për pasivizimin e adresave të shqiptarëve nga lugina e Preshevës nuk kishte reagim nga QUINTI. Tash po e pres reagimin e QUINT-it për spastrimin etnik, i cili po ndiqet përmes shkurtimeve buxhetore për Këshillin Kombëtar Shqiptarë në Luginën e Preshevës. Luan me Kosovën pulë me Serbinë”, ka shkruar Bajqinovci.
Ndaj kritikave të ShBA-së dhe BE-së ka reaguar edhe asamblisti i VV-së, Egzon Azemi.
Sipas tij, ata që janë kundër ndalimin të dinarit serb në Kosovë janë argat të Serbisë ose Rusisë.
“Argat janë ata që më shumë reaguan për dinarin serb se për vrasjen e policit Afrim Bunjaku. Vendor apo nderkombëtar, janë argat të Serbisë apo Rusisë. Vlerat që po mbron Republika e Kosovës janë pro perendimore.”, ka shkruar ai.
Kritikat e BE-së dhe ShBA-së
Prej ditësh BE-ja dhe SHBA-ja kanë shprehur shqetësimet e tyre në lidhje me zbatimin e rregulloren e re të Bankës Qendrore të Kosovës për ndalimin e përdorimit të dinarit serb në Kosovë.
Në lidhje me këtë cështje edhe dje ka reaguar Bashkimi Evropian.
Zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Peter Stano, në një konferencë për media, ka thënë se po vazhdon puna që dialogu të ecë përpara. “Ne nuk frikësohemi nga një status quo, nuk frikësohemi për asgjë, vetëm se popujt e Kosovës dhe Serbisë mund të lihen jashtë, në atë që është për ata nga procesi i anëtarësimit.” – tha ai.
Më pas, Stano duket se kritikoi Qeverinë e Kosovës për “mënyrën e komunikimit”, kjo sipas tij, po ashtu shkakton frikë se Kosova jo vetëm që mund të lihet pas, por edhe jashtë.
“Ne po shohim shumë gjëra, ndaj të cilave kemi reaguar javët e fundit, sidomos ndaj Kosovës, vendimet e njëanshme dhe gjëra që kanë ngritur shqetësimet tona bashkë me mënyrën e sjelljes së komunikimit nga autoritetet e Prishtinës. Kjo shkakton frikë te ana jonë, që Kosova mund të lihet jashtë, dhe mund të lihet pas.”, ka deklaruar ai.
Edhe më e ashpër ka qenë SHBA-ja.
Përmes një komunikate për media, SHBA-ja ka shprehur shqetësimin e tij se këto veprime mund të sjellin tensione ndëretnike.
“Këto veprime po rrisin në mënyrë të panevojshme tensionet etnike dhe si pasojë i kufizojnë mundësitë e Shteteve të Bashkuara për të shërbyer si një avokat efektiv për Kosovën në arenën ndërkombëtare.”, është thënë në komunikatën e SHBA-së.
Çështja e ndalimit të dinarit serb sot do të diskutohet edhe në Këshill të Sigurimit të OKB-së.
Në këtë mbledhje të thirrur nga Serbia do të marrë pjesë kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla.
Ata sot kanë udhëtuar për në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.