Presidentja s'patojhet me kritikat: Shkarkimi i Valdete Dakës, ndër më të mirët deri tash - NACIONALE

Presidentja s'patojhet me kritikat: Shkarkimi i Valdete Dakës, ndër më të mirët deri tash

4 vjet më parë

nga NACIONALE

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka dhënë një intervistë të gjatë ku ka folur për shumë tema përfshirë kryeprokurorin, politikën e jashtme dhe sulmet ndaj Policisë në veri të vendit. E para e vendit ka folur edhe rreth raportit të Deparatamentit Amerikan të Shtetit, në të cilën shkruante se shkarkimi i Valdete Dakës nga posti i kryetares së KQZ-së ishte e motivuar politikisht.

Por, me një cilësim të tillë nuk është pajtuar shefja e shtetit, duke thënë se vendimi për shkarkimin e Dakës nga posti i kryetares së KQZ-së është një nga vendimet më të mira të saja.

“Është ndër vendimet më të mira që kam marrë si Presidente e Republikës së Kosovës dhe përgjatë tërë mandatit tim do të vazhdoj të punoj me ngulm që në institucionet tona të ketë integritet” , ka thënë ndër të tjera Osmani në “Kallxo Përnime”.

Gjatë intervistës, Osmani foli për sulmet ndaj Policisë së Kosovës në veri të vendit, duke drejtuar gishtin nga Serbia si organizuese e sulmeve.

Ajo tha se nëpërmjet goditjes ndaj Policisë, tenton të destabilizojë Kosovën.

Presidentja e vendit, Vjosa Osmani, ka thënë se sulmet ndaj Policisë së Kosovës në Zubin Potok janë të organizuara nga Serbia me qëllim të destabilizimit të vendit.“Informatat që ne i kemi tregojnë për një involvim të vazhdueshëm të shtetit serb, me qëllim destabilizimi, natyrisht ne ato i ndajmë edhe me partnerët tanë, ka edhe nga ana e tyre rritje të strukturave të sigurisë”, tha Osmani.

Tutje shefja e shtetit foli edhe për punën e armatosjes së Serbisë.

Komandatja supreme e FSK-së tha se Serbia po armatoset me armë sulmuese, duke shtuar se synimi i saj është të dominojë rajonin.

"Çkado që të ndodhë, ne jemi aty. Sa i përket ndonjë rreziku, që mund të jetë iminent, do të ketë dyfishim të trupave të NATO-s, dhe atë brenda pak ditëve", tha ndër të tjera Osmani në Kallxo Përnime.

Për politikën e jashtme, ajo tha se ka arritje marramendëse në vitin e fundit.

Megjithatë, shefja e politikës së jashtme tha se Kosova nuk do të aplikojë për anëtarësim në Interpol dhe UNESCO gjatë këtij viti.

“Për INTERPOL, deri më 30 prill, do të merret vendimi përfundimtar, lidhur me atë se a do të mbetet për vitin e ardhshëm apo do të procedohet këtë vit”, ka thënë ajo.

Ajo ka shtuar se të gjitha vendimet në lidhje me aplikimin në Interpol do ta marrin në koordinim të plotë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

“Ky është proces i cili merr më shumë se sa pak muaj, dhe unë mendoj se me rëndësi është që ne të kemi sukses”, shtoi Presidentja.

Edhe për UNESCO-n, Presidentja ka deklaruar se është një organizatë në të cilën anëtare janë shumë shtetë që nuk na kanë njohur, duke e bërë aplikimin më të vështirë.

“Edhe kjo nuk është për këtë vit që do të aplikohet. Prioriteti për këtë vit është Këshilli i Evropës”, përfundoi Osmani.

Ndërsa për punën e kryeporkurorit të ri të shtetit, Osmani tha se do të studiojë secilin detaj para se të vendosë për dekretimin ose jo të Blerim Isufajt në krye të këtij institucioni.

Presidentja shtoi se nuk do të merr vendim “shkel e shko”.

“Ka disa ditë që Këshilli Prokurorial i Kosovës ka dërguar propozimin e vetë në tavolinën time. Natyrisht pasi është një prej proceseve më të rëndësishme, sa i përket sistemit të drejtësisë në vend, është një dokumentacion që duhet të studiohet thellësisht. Prandaj, si presidente e vendit, dhe në përputhje me kompetencat kushtetuese të cilat janë të qarta, këtë propozim jam duke e shqyrtuar”, thotë Osmani.

Ajo ka paralajmëruar se këtë çështje do ta shqyrtojë edhe me shoqërinë civile.

“Ka edhe dokumentacion shtesë të cilin do e kërkojmë sa i përket këtij propozimi, por në të njëjtën kohë, ashtu siç kam paralajmëruar do t’i dëgjojë të gjitha palët përfshirë shoqërinë civile e cila ka qenë e angazhuar në monitorimin e këtij procesi dhe partnerët e tjerë, përfshirë partnerët ndërkombëtarë të cilët tashmë siç e dini kanë shprehur qartë vërejtjet e tyre sa i përket procesit”, shtoi ajo në emisionin “Kallxo Përnime”.

Kujtojmë që Isufaj është votuar nga Këshilli Prokurorial i Kosovës për kryeprokuror të shtetit.

Lajme të ngjashme