Presidentja Osmani shëtitet me helikopter në ShBA, hesht për kushtëzimin e rrugës së Kosovës drejt KiE-së
Ka dy ditë që kryeministri Albin Kurti e ka konfirmuar kushtin e ri që aleatët ia kanë vendosur Kosovës për t`u anëtarësuar në Këshill të Evropës, por presidentja Vjosa Osmani ende nuk e ka thënë asnjë fjalë për këtë çështje.
Ndaj kryetemës së javës, ku kanë folur pushteti, opozita dhe kori diplomatik i akredituar në Kosovë, e para e vendit ka zgjedhur heshtjen, raporton Nacionale.
Shefes së shtetit, si bartëse e politikes së jashtme, nuk i ka bërë shumë përshtypje fakti që Kosova po rrezikon një dështim të madh diplomatik.
Prej katër ditësh, presidentja Osmani po qëndron në Teksas të SHBA-ve, ku ka marrë pjesë në Samitin SHBA-Afrikë.
Gjatë këtij samiti ajo ka zhvilluar disa takime me liderë të vendeve afrikane.
Madje, ajo sot ka gjetur kohë të viziton edhe kompaninë e helikopterëve Belldhe të marr mësimi e parë në pilotim të helikopterit.
“Në Fort Worth të Teksas, vizita në kompaninë e helikopterëve Bell dhe mësimi i parë në pilotim të helikopterit me pilotin më me përvojë të kompanisë, Joseph Decapite, i cili kishte shërbyer në Kosovë para 15 vitesh si pjesë e ushtrisë amerikane”, ka shkruar presidentja si mbishkrim në videon që e publikoi në “Facebook”, ku ajo shihet duke e drejtuar helikopterin në ajër.
Më pas, ka treguar edhe për takimin që ka pasur me një kongresmen republikan.
“Një takim produktiv me Kongresmenin republikan Pete Sessions, me të cilin pata mundësi të diskutoj për zhvillimet në Kosovë dhe partneritetin me SHBA-të”, ka shkruar ajo.
Ndryshe nga presidentja, Qeveria dhe partia në pushtet kushtin e aleatëve e kanë cilësuar të padrejtë.
Në mbledhje të Qeverisë, kryeministri Albin Kurti ka thënë se nuk e pranon kushtëzimin e anëtarësimit në Këshill të Evropës me Asociacionin.
“Qeveria nuk e pranon kushtëzimin e anëtarësimit në Këshill të Evropës me Asociacionin. Për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë bisedojmë në Bruksel e jo në Strasburg”, ka thënë Kurti.
Madje, kryetarja e Komisionit Parlamentar për Politikë të Jashtme, Arbëresha Kryeziu-Hyseni, ka thënë se ky kushtëzim është një shantazh që aleatët po i bëjnë Kosovës.
“Këtu lë të kuptosh se bashkësia ndërkombëtare po do ta shfrytëzojë këtë si kartë të fundit, që ta shantazhojë Kosovën për ta rikthyer çështjen e Asociacionit. Mund të jetë shantazh prej pikëpamjes time, nuk ka asnjë sens që të kërkohet nga Kosova ta dërgojë në Kushtetuese një non paper”, ka thënë ajo në emisionin “Debat Plus”.
Sipas deputetes së VV-së, Kosova deri tash ka bërë gjithçka për anëtarësim në Këshill të Evropës.
“Unë nuk besoj që ka faj Kosova, sepse kemi bërë gjithçka që është kërkuar që të hapet rruga drejt anëtarësimit. Nuk ka asgjë në dorën tonë. Është në dorën e ministrave”, është shprehur ajo.
Ndërsa, opozita dhe njohësit e rrethanave politike në vend për këtë kushtëzim e kanë fajësuar Qeverinë Kurti. Ata kanë vlerësuar se kjo tregon se partnerët e Kosovës më nuk kanë besim në kryeministrin Albin Kurti.
“Euronews” dje ka raportuar se Franca, Gjermania dhe Italia i kanë kërkuar Këshillit të Evropës që të shtyjë votimin – përkatësisht të mos e vendos në agjendën e takimit të Komitetit të Ministrave – për aplikimin e Kosovës për anëtarësim në KiE.
Duke cituar burime diplomatike, media në fjalë tregon pse ndodhi kushtëzimi.
“Lëvizja e Kurtit për të refuzuar parakushtin ka pakënaqur Francën, Gjermaninë dhe Italinë, të cilat kanë kërkuar nga Këshilli i Evropës që të shtyjë vendimin përfundimtar për aplikimin e Kosovës, thanë burime diplomatike”, ka shkruar “Euronews”.
Sipas këtij mediumi, në takimin e Komitetit të Ministrave, i cili do të mbahet me 16-17 majit, Kosova nuk do të jetë në agjendë.