Presidentja e mandatoi Kurtin për kryeministër një ditë para zgjedhjeve lokale: A do të ketë ndikim elektoral ky veprim? - NACIONALE

Presidentja e mandatoi Kurtin për kryeministër një ditë para zgjedhjeve lokale: A do të ketë ndikim elektoral ky veprim?

8 muaj më parë

nga NACIONALE

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, sot e ka mandatuar kryetarin e VV-së, Albin Kurti, për formimin e Qeverisë së Republikës së Kosovës.

Një veprim të tillë e ka bërë një dita para mbajtjes së zgjedhjeve lokale.

Dekretimi i Kurtit për kryeministër në prag të zgjedhjeve dhe pa pasur një marrëveshje politike që ia siguron votat për formimin e qeverisë së re po shihet si veprim i çuditshëm i të pares së shtetit.

Njohësit e rrethanave politike kanë vlerësuar se nominimi i Kurtit në këtë kohë është një favor që Osamani ia ka bërë Kurtit.

Analisti Ilir Mirena ka bërë me dije se LDK-ja ka gabuar dje që e ka votuar Nenad Rashiqin për nënkryetar të Kuvendit.

Nuk e di a prej padijes a qellimisht, ama nje dhurate fantastike ia bani Lumir Abdixhiku Albin Kurtit dy dite para zgjedhjeve. Me kete veprim t’pamatum - me Kurtin tashti si mandatar per kryeminister - u dha nje karburant elektoral militanteve te VV’se. E, ne anen tjeter me se shumti i ka demtu kandidatet e LDK’se per kryetar komunash, sidomos Perparim Ramen dhe Ekrem Hysenin… Pse kjo nguti, pse s’priti veç edhe dy tri dite”, ka shkruar Mirena në profilin e tij në “Facebook”.

Edhe gazetari Lirim Mehmetaj ka bërë me dije se me këtë veprim Kurtit i është bërë një favor.

Në profilin e tij në “Facebook”, ai ka shkruar se tani Kurtit i është hapur rruga për të “peshkuar” deputetët e partive tjera.

“Tash ky, sic edhe tregoi dje Albulena Haxhiu, e fillon pazarin e eger per blerjen e deputeteve... Sot, ne dy pika duhet vleresuar politikanet: Distanca me korrupsionin dhe distanca me Albin Kurtin. Sa me large ketyre dy te kqijave, me afer shtetit e kombit. Mos iu bashkoni argatit”, ka shkruar Mehmetaj.

Çka tha presidenca?

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, sot e ka mandatuar kryetarin e VV-së, Albin Kurti, për formimin e Qeverisë së Republikës së Kosovës.

Në njoftimin për media të Precedencës është thënë se ky vendim është marrë pas propozimit zyrtar të partisë Lëvizja Vetëvendosje.

Sipas Presidencës, dekretimi është në bazë të kompetencave kushtetuese të presidentes.

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, në mbështetje të kompetencave të saj kushtetuese, ka nënshkruar sot Dekretin, me të cilin mandaton z. Albin Kurti për formimin e Qeverisë së Republikës së Kosovës. Ky vendim është marrë pas propozimit zyrtar të partisë Lëvizja Vetëvendosje, e cila ka fituar numrin më të madh të ulëseve në Kuvend nga rezultatet e zgjedhjeve të mbajtura me 9 shkurt të këtij viti”, është thënë në njoftimin e Presidencës.

Në njoftimin është treguar se tani lideri i VV-së i ka 15 ditë në dispozicion për të paraqitur para Kuvendit të Kosovës përbërjen e Qeverisë së re.

Sipas Kushtetutës, mandatari për formimin e Qeverisë, z. Kurti, është i obliguar që jo më vonë se pesëmbëdhjetë (15) ditë nga dita e dekretimit, t’i paraqesë Kuvendit të Republikës së Kosovës përbërjen dhe programin e Qeverisë për miratim. Presidentja i ka uruar suksese z.Kurti, kryeministër në detyrë, me shpresën që Republika e Kosovës sa më parë të ketë Qeveri me mandat të plotë kushtetues”, është thënë në njoftimin e Presidencës.

Më pas edhe presidentja, Vjosa Osmani, ka reaguar në profilin e saj në “Facebook”.

Pasi e ka dekretuar Kurtin si mandatar, ajo ka uruar që Kosova sa më parë të ketë Qeveri me mandat të plotë kushtetues.

Sot, në përputhje me kompetencat kushtetuese, kam mandatuar Kryeministrin në detyrë, z. Albin Kurti, mandatar për formimin e Qeverisë së Republikës së Kosovës. Uroj që Republika e Kosovës sa më parë të ketë Qeveri me mandat të plotë kushtetues, ku do të merren vendime për të mirën e vendit dhe të gjithë qytetarëve tanë”, ka shkruar Osmani.

Lajme të ngjashme