Presidentja autorizon FSK-në që të ndihmojë Turqinë në tejkalimin e pasojave pas tërmeteve shkatërruese
Presidentja Vjosa Osmani ka autorizuar dërgimin e FSK-së në Turqi në ndihmë të tejkalimi të pasojave pas tërmeteve shkatërruese që lanë të vdekur mijëra persona.
“Presidentja Vjosa Osmani ka autorizuar dërgimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës për ndihmë Republikës së Turqisë në tejkalimin e pasojave të tërmeteve të sotme Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, në cilësinë e komandantes supreme, në pajtim me kompetencat saj kushtetuese, ka nënshkruar autorizimin për dërgimin e trupave të Forcës së Sigurisë së Kosovës në operacion ndërkombëtar humanitar në Republikën e Turqisë për t’i mbështetur përpjekjet e autoriteteve turke për tejkalimin e pasojave tragjike të tërmeteve të sotme. Presidentja Osmani ka shprehur solidaritet të plotë me popullin e Turqisë dhe ka deklaruar se Republika e Kosovës do të vazhdojë të ofrojë mbështetjen e nevojshme.” – thuhet në njoftim.
Pas tërmetit në Turqi dhe Siri, qeveritë dhe organizatat ndërkombëtare kanë ofruar ndihmë për këto dy shtete.
Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, tha se anëtarët e aleancës po mobilizojnë mbështetjen për të ndihmuar Turqinë pas tërmetit shkatërrues.
Komisioni Evropian ka njoftuar se me kërkesë të Turqisë, pas tërmetit të rëndë që ka goditur vendin, ka aktivizuar mekanizmat emergjentë të unionit për mbrojtje civile.
Një tërmet i ri me magnitudë 7.5 ballë goditi Turqinë pas atij me magnitudë 7.8, i cili tronditi pjesën juglindore të vendit para mëngjesit dhe ku sipas të dhënave të fundit, më shumë se dy mijë persona humbën jetën.
Një tërmet i ri goditi zonën rreth Kahramanmaraş, pak në veri të Gaziantep, në orën 13:24 me orën lokale.
Në rrjetet sociale po përhapen pamjet që tregojnë njerëz që po ikin në momentin e tërmetit të ri. /Nacionale/