Presidenti meksikan thotë se Meksika është më e sigurt se ShBA-ja
Presidenti i Meksikës, Andres Manuel Lopez Obrador, pretendoi të hënën se vendi i tij është më i sigurt se Shtetet e Bashkuara, një javë pasi dy shtetas amerikanë u vranë e dy të tjerë u rrëmbyen e më vonë u shpëtuan në qytetin kufitar meksikan, Matamoros.
Obradori tha se paralajmërimet e ShBA-së për udhëtime drejt Meksikës dhe raportet e dhunës në vendin e tij janë rezultat i një konspiracioni nga politikanët konservatorë dhe mediet amerikane për ta njollosur administratën e tij, raporton agjencia “Associated Press”.
Pavarësisht deklaratave të presidentit Obrador se Meksika është vend i sigurt për të udhëtuar, FBI-ja konfirmoi javën e kaluar se tri gra nga qyteza e vogël e Teksasit, Penitas, janë zhdukur në Meksikë nga fundi i shkurtit.
“Meksika është më e sigurt se Shtetet e Bashkuara. Nuk ka problem për të udhëtuar në mënyrë të sigurt në Meksikë”- tha presidenti meksikan në një konferencë për gazetarë.
Niveli kombëtar i vrasjeve në Meksikë është rreth 28 për 100 mijë banorë. Në Shtetet e Bashkuara, ky nivel është trefish më i ulët, rreth shtatë për 100 mijë banorë.
Obradori u mundua që t’i largonte shqetësimet për dhunë, por Departamenti i Shtetit i ShBA-së tash për tash ka në fuqi udhëzime për të mos udhëtuar në gjashtë nga 32 shtetet meksikane, të përfshira nga dhuna e bandave të drogës, ndërsa udhëzime për ta rishqyrtuar udhëtimin në shtatë shtete të tjera meksikane.
“Kjo është një fushatë kundër Meksikës nga këta politikanë konservatorë në Shtetet e Bashkuara, të cilët nuk dëshirojnë që të vazhdojë transformimi i vendit tonë”- tha presidenti Obrador.
Ai i përmendi edhe mediet amerikane në konspiracionin e pretenduar. “Këta politikanë konservatorë... i mbizotërojnë shumicën e medieve në Shtetet e Bashkuara. Kjo dhunë nuk është realitet. Është manipulim i pastër, i ulët”- shtoi Obradori.

