Vdesin dy nga katër amerikanët e rrëmbyer në Meksikë, dy kthehen në ShBA
Dy nga katër amerikanët e rrëmbyer nën kërcënimin e armëve në Meksikë javën e kaluar kanë vdekur dhe dy të tjerë janë kthyer gjallë në ShBA, kanë njoftuar zyrtarët meksikanë e amerikanë.
Katër shtetas amerikanë u rrëmbyen nga disa burra të armatosur më 3 mars përderisa po lëviznin me veturë drejt qytetit Matamoros, në rajonin verilindor meksikan, Tamaulipas, afër kufirit me Teksasin e ShBA-së.
Ata kishin shkuar në Meksikë për operacione kozmetike, u thanë të afërmit e tyre medieve amerikane. Një burrë, i identifikuar si Jose “N”, 24 vjeç, është arrestuar, raporton televizioni BBC.
Zëdhënësi për Siguri Kombëtare i Shtëpisë së Bardhë, John Kirby, tha: “Ne ua shprehim ngushëllimet tona më të thella miqve dhe familjeve të atyre që janë vrarë në këto sulme.”
Dy amerikanët e mbijetuar u kthyen të martën në Shtetet e Bashkuara në bashkëpunim me konsullatën amerikane në Matamoros, njoftoi prokurori rajonal meksikan, Barrios Mojica.
FBI-ja më vonë konfirmoi se dy amerikanë janë gjetur të vdekur dhe se dy të tjerët janë dërguar në spitale amerikane për trajtim.
Në deklaratën e kësaj agjencie thuhet se njëri prej të mbijetuarve ka pësuar lëndime serioze gjatë sulmit dhe se FBI-ja do të bashkëpunojë me partnerët ndërkombëtarë dhe me agjenci të tjera të sundimit të ligjit për t’i mbajtur përgjegjës autorët e këtij sulmi.
Zyrtarët amerikanë thanë se trupat e viktimave Zindell Brown dhe Shaeed Woodard janë marrë nga autoritetet meksikane dhe janë duke u kthyer në ShBA.