Të paktën 29 të vrarë pas kapjes së djalit të El Chapos në Meksikë
Ministri i Mbrojtjes i Meksikës, Luis Cresencio Sandoval, ka njoftuar se në një valë dhune gjatë arrestimit të bosit të kartelit meksikan të drogës, Ovidio Guzman, në Sinaloa, janë vrarë 19 anëtarë të dyshuar të bandës dhe 10 personel ushtarak.
Ministri ka bërë të ditur se, forcat meksikane të sigurisë kanë kapur Guzman, 32-vjeçar, djali i mbretit të burgosur Joaquin "El Chapo" Guzman, në orët e hershme të mëngjesit të së enjtes, duke shkaktuar orë të tëra trazirash dhe shkëmbime zjarri me anëtarët e bandë.
Duke shpalosur detaje nga operacioni, Sandoval më tej ka thënë se Guzman ishte nxjerrë me helikopter nga shtëpia ku ishte kapur dhe ishte dërguar në një burg federal të sigurisë maksimale.
Arrestimi i tij ka nxitur kartelin e fuqishëm të Sinaloa - dikur i kryesuar nga vetë El Chapo – të krijojë trazira, duke u vënë zjarrin automjeteve, duke bllokuar rrugët e duke luftuar forcat e sigurisë.
Përveç të vrarëve është njoftuar edhe për arrestimin e 21 personave të tjerë.
Ndërkohë, presidenti i vendit Andres Manuel Lopez Obrador ka thënë se nuk ka plane të menjëhershme për të ekstraduar Ovidio në Shtetet e Bashkuara, ku ndodhet edhe babai i tij El Chapo, pas ekstradimit të tij në vitin 2017, ku ishte shpallur fajtor në një gjykatë të Nju Jorkut.
