Trazira vdekjeprurëse në Meksikë pas arrestimit të djalit të "El Chapo"-s - NACIONALE

Trazira vdekjeprurëse në Meksikë pas arrestimit të djalit të "El Chapo"-s

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Tre pjesëtarë të forcave të sigurisë kanë vdekur në Meksikë pas përleshjeve në rajonin Sinaloa shkaku i arrestimit të djalit të bosit famëkeq të drogës, “El Chapo”.

Ovidio Guzman-Lopez, i cili vetë pretendonte se ishte udhëheqës i ish-bandës së babait, u kap në Culiacan dhe u dërgua në kryeqytetin Mexico City, shkruan BBC, përcjell “Nacionale”.

Anëtarët e zemëruar të kësaj bande vendosën barrikada në rrugë, ua vunë flakën veturave dhe sulmuan një aeroport lokal.

Dy aeroplanë u goditën nga plumbat – njëri përderisa po përgatitej për t’u ngritur në qiell. Më shumë se 100 fluturime janë anuluar në tri aeroporte në Sinaloa. Guvernatori shtetëror tha më herët se 18 persona janë pranuar në spital.

Guzman-Lopezi, i njohur me nofkën “Miu”, akuzohet për udhëheqjen e një grupi të kartelit famëkeq të babait të tij, tha ministri i Mbrojtjes i Meksikës, Luis Cresencio Sandoval. Ky grup është njëra ndër organizatat më të mëdha të trafikimit të drogës në botë.

Babai i tij, Joaquin “El Chapo” Guzman, është në vuajtje të dënimit me burgim të përjetshëm në Shtetet e Bashkuara, pasi më 2019 ishte shpallur fajtor për trafikim të drogës dhe pastrim të parave. Gjykimi i tij ka zbuluar disa prej hollësive brutale se si veprojnë kartelet e drogës në Meksikë.

Ministri Sandoval tha se operacioni 6-mujor i vëzhgimit për kapjen e djalit të “El Chapo”-s e kishte mbështetjen e zyrtarëve amerikanë.

Pjesa kryesore e trupit të një aeroplani, që planifikohej të fluturonte nga Culiacan-i për në Mexico City, u godit nga plumbat të enjten në mëngjes përderisa po përgatitej për t’u ngritur në qiell, tha kompania ajrore meksikane, “Aeromexico”.

Kompania njoftoi se asnjë klient ose punëtor nuk është lënduar. Në një video të publikuar në rrjete sociale, pasagjerët duken të frikësuar dhe shtrihen në dyshemenë e aeroplanit.

Lajme të ngjashme