Presidenti i ri çek zemëroi Kinën: Ai kaloi vijën e kuqe - NACIONALE

Presidenti i ri çek zemëroi Kinën: Ai kaloi vijën e kuqe

3 vjet më parë

nga Lirim Krasniqi

Kina kritikoi presidentin e ri çek, Petr Pavel, pasi ai pati një bisedë telefonike me presidentin dhe ministrin e Jashtëm të Tajvanit një ditë më parë. "Pavel ... kapërceu vijën e kuqe për Kinën", tha zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme kineze Mao Ning. “Është ndërhyrje serioze në punët e brendshme të Kinës dhe ka lënduar ndjenjat e popullit kinez”, shtoi ajo.

Pekini i kërkoi Pragës që "të marrë menjëherë masa efektive për të eliminuar ndikimin negativ të incidentit dhe për të shmangur dëmtimin e pakthyeshëm në marrëdhëniet kino-çeke", tha ajo.

Pavel, i cili fitoi zgjedhjet presidenciale të shtunën, do të zëvendësojë Milos Zeman, i cili ishte pro Kinës, më 9 mars.

Pavel foli me presidentin tajvanez Tsai Ing-wen, i cili e uroi atë për fitoren ndaj miliarderit populist Andrej Babis. “E falënderova për urimet e saj dhe theksova se Tajvani dhe Republika Çeke ndajnë vlerat e lirisë, demokracisë dhe të drejtave të njeriut”, shkroi Pavel në Twitter.

"Ne ramë dakord për të forcuar partneritetin tonë", shtoi ish-gjenerali, i cili kryesonte Komitetin Ushtarak të NATO-s. Ai shprehu gjithashtu shpresën e tij për t'u takuar me Presidentin Tsai. Kryeministri çek Petr Fiala tha me atë rast se Republika Çeke nuk e ka ndryshuar politikën e saj "një Kinë", por edhe se ka marrëdhënie të mira me Tajvanin.

“Ne kemi marrëdhënie tradicionalisht të mira me Tajvanin demokratik, këto janë marrëdhënie në fushën e ekonomisë, arsimit dhe shkencës, dhe kjo është e mirë, por në të njëjtën kohë, Republika Çeke respekton dhe i qëndron politikës së një Kine dhe asgjë nuk ndryshon në këtë drejtim”, tha Fiala në një intervistë për portalin blesk.cz. /Nacionale/

Lajme të ngjashme