Presidenca hungareze e BE-së – Bislimi do “pyetësorin" për statusin e vendit kandidat, Vuçiqi sytë nga Orbani - NACIONALE

Presidenca hungareze e BE-së – Bislimi do “pyetësorin" për statusin e vendit kandidat, Vuçiqi sytë nga Orbani

2 muaj më parë

nga NACIONALE

Kosova dështoi të bëhej anëtare e organizatës paradhomë të Bashkimit Evrpoian – Këshillit të Evropës – në maj të këtij viti; ndërsa tash ka ngritur kërkesat që në presidencën gjashtëmujëroshe të BE-së që ka marrë Hungaria të trajtohet aplikacioni i dhjetorit të vitit të 2022 për të marrë statusin e vendit kandidat.

Hungaria prej janarit të vitit të kaluar është shprehur hapur kundër anëtarësimit të Kosovës në organizata evropiane duke e arsyetuar se Hungaria pret arritjen e një marrëveshje gjithpërfshirëse për normalizim të marrëdhënieve Kosovë-Serbi dhe se deri atëherë “nuk dëshirojnë të rrezikojnë” këtë proces.

Njëjtë qe shprehur edhe para disa muajve kur Ministri i Punëve të Jashtme i Hungarisë, Peter Szijarto u shpreh kundër anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës, për çka edhe njoftoi votë kundër.

Hungaria – kësisoji – praktikisht u bë thuajse “vendi i gjashtë mosnjohës” i Kosovës brenda bllokut evropian; madje duke marrë pozicione edhe më të rrrepta se shtetet mosnjohëse si Greqia të cilët së paku abstenonin.

Zëvendës Kryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, në një mbledhje me diplomatë ku ishte i ftuar ambasadori hungarez në Prishtinë, Bela Bozsik, këtij të fundit i kërkoi që Hungaria – tash udhëheqëse për gjashtë muaj e Komisionit Evropian – të trajtojë aplikacionin e Kosovës për statusin e vendit kandidat të BE-së; status ky që vetëm Kosova në rajon nuk e ka.

Duke shprehur gatishmërinë dhe vullnetin për bashkëpunim të ngushtë me presidencën hungareze, ritheksuam objektivin tonë për marrjen e pyetësorit dhe vlerësimit në baza meritokracie për marrjen e statusit të vendit kandidat”, ka shkruar Bislimi ditë më parë.

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Driton Hyseni, madje pret “rol proaktiv” të Hungarisë gjatë këtij gjashtë muajshi, siç e citoi KosovaPress, për shqyrtimin e aplikacionit të Kosovës tashmë në sirtaret e BE-së për gati dy vite.

Se a do të ndodh kjo në afatin gjashtë mujor të presidencën hungareze kjo do të jetë në vullnetin e shteteve anëtare...jo domosdoshmërisht vetëm i Hungarisë”, tha ai

Vëmendje të theksuar do të donim ta kenim sa i përket proceseve integruese që po kalon Kosova. Në kohën më të afërme të mundshme të kemi edhe një evaluim të aplikacionit tonë për të qenë anëtare e Bashkimit Evropian”, tha ai.

Në të njëjtën kohë, Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ftoi zyrtarë evropianë për të shënuar marrjen e presidencës hungareze të BE-ës, për çka pritshmëritë i artikuloi të mëdha.

Do të doja të falënderoja miqtë tanë hungarezë për të gjithë mbështetjen që na dhatë dhe që jam i sigurt se do të na jepni. Në Serbi do të kesh gjithmonë një mik të ndershëm. Unë do t'i kërkoja BE-së të punojë së bashku, të ndërtojë dhe të ushqejë me kujdes marrëdhëniet tona. Është e vetmja rrugë për ne dhe ne duam të ndërtojmë të ardhmen me ju”, tha Aleksandar Vuçiq.

Gjashtë muajt e ardhshëm janë vendimtarë për rrugëtimin evropian të Serbisë. Presim shumë gjëra të mira dhe të rëndësishme nga BE-ja, e dimë se cilat janë obligimet dhe detyrat tona dhe shpresojmë në rezultate konkrete. Ne jemi pjesë e Evropës, nuk kemi ku të shkojmë dhe nuk do të shkojmë askund tjetër. Ne jemi një vend sovran dhe i pavarur dhe kërkoj nga të gjithë të tjerët, të cilët nuk janë gjithmonë të kënaqur me qëndrimet e Serbisë, të kuptojnë se ndonjëherë duhet të shprehim mendimin tonë”, shkroi mes tjerash ai.

Lajme të ngjashme