Abdixhikut iu kërkua dorëheqja, Osmani i thotë pak fjalë: Asnjë rrugë nuk është e vështirë për t’u kaluar bashkë
Pak ditë pasi disa degë i kërkuan dorëheqjen Lumir Abdixhikut, kryetar i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), një reagim të shkurtër lidhur me këtë situatë e ka bërë edhe Vjosa Osmani, kandidate e kësaj partie për presidente në zgjedhjet e 7 qershorit.
Osmani, ndryshe nga Abdixhiku, i cili ka bërë disa deklarata, deri mbrëmjen e së enjtes nuk kishte thënë asnjë fjalë lidhur me këto kërkesa që erdhën pas rezultatit të dobët në zgjedhjet e parakohshme.
Pas një vizite në degën e LDK-së në Viti, e cila i doli në përkrahje Abdixhikut pasi iu kërkua dorëheqja, Osmani i falënderoi anëtarët për “qëndrimet e qarta dhe mbështetëse”.
Tutje, ajo tha se “kur qëllimi është i drejtë, asnjë rrugë nuk është tepër e vështirë për t’u kaluar bashkë”.
Kujtojmë se të martën, dega e LDK-së në Pejë doli e para me një reagim të gjatë, ku kërkoi reflektim politik dhe përgjegjësi nga lidershipi. Pas analizës së rezultatit zgjedhor, kryesia e kësaj dege deklaroi se “me shumicë votash” ka kërkuar dorëheqjen e udhëheqjes.
“Në këtë drejtim, është kërkuar dorëheqja si akt moral dhe politik, duke vlerësuar se përgjegjësia për rezultatin duhet të bartet nga udhëheqja”, thuhej në reagimin e degës së Pejës.
Më pas, një deklaratë e ngjashme u publikua edhe nga dega e LDK-së në Lipjan, e cila i kërkoi drejtpërdrejt dorëheqjen Abdixhikut.
“Kryesia e Degës vlerëson se rezultati i zgjedhjeve të përgjithshme në nivel vendi nuk mund t’u atribuohet vetëm strukturave lokale. Ai paraqet edhe një reflektim të gjendjes, organizimit, funksionimit dhe kapacitetit politik të partisë në nivel qendror”, thuhej në deklaratë.
Dega kërkoi zyrtarisht largimin e kryetarit.
“Kryesia e Degës kërkon dorëheqjen e Kryetarit të LDK-së, si standard të përgjegjësisë politike dhe si akt reflektimi ndaj mesazhit që qytetarët kanë përcjellë përmes votës së tyre.”
Thirrjeve iu bashkua edhe Dega e Dytë e LDK-së në Prishtinë, e drejtuar nga Florian Dushi. Në deklaratën e saj, kjo degë foli për rrezikun e margjinalizimit politik të partisë dhe nevojën për ndryshim të lidershipit.
“Në këto rrethana, Dega e Dytë e LDK-së në Prishtinë e falënderon kryetarin Lumir Abdixhiku për kontributin dhe angazhimin e tij të deritashëm dhe, njëkohësisht, kërkon që, me përgjegjësi dhe dinjitet politik, të japë dorëheqje dhe t’u hapë rrugë ndryshimeve tashmë të domosdoshme në LDK.”
Abdixhiku nuk vonoi të reagojë, duke bërë akuza të rënda ndaj drejtuesve të këtyre degëve.
“Pajtohem që rezultati në këto dy degë nuk është i kënaqshëm. Në komuna ku kemi qeverisje, të dalim të tretët tregon vetëm dozën e një sabotimi të thellë dhe të një projekti që nuk është i LDK-së”, shkroi ai.
“Për performancën e dobët në këto dy degë, rezultatin më të ulët ndër vite, pres dorëheqjet morale të dy kryetarëve në fjalë. I pranoj menjëherë.”