Rritet numri i viktimave nga tërmetet në Venezuelë, ShBA-ja ofron ekipe kërkim-shpëtimi
Numri i të vdekurve nga dy tërmetet e fuqishme në Venezuelë ka shkuar në të paktën 188, ndërsa më shumë se 1.500 të tjerë janë lënduar, sipas ligjvënësit Jorge Rodriguez.
Dy tërmetet, të cilat sipas Vëzhguesit Gjeologjik të ShBA-së e kishin fuqinë prej 7,2 dhe 7,5 shkallësh, e goditën pjesën veriore të Venezuelës brenda një minute të mërkurën natën, duke shkaktuar shembje të ndërtesave e duke ngujuar shumë njerëz nën rrënoja.
Ndërkohë, dy prej ekipeve më të sofistikuara amerikane për kërkim-shpëtim në zona urbane po dislokohen për në Venezuelë, raporton televizioni CNN.
Burime brenda distriktit të Fairfax-it në Virgjinia dhe brenda ekipeve të kërkim-shpëtimit në Los Angeles i thanë televizionit amerikan se këto skuadra janë aktivizuar.
Distrikti i Fairfax-it do të dërgojë një kontingjent prej 80 pjesëtarësh dhe gjashtë qensh në Venezuelë, tha John Morrison, zyrtar për informim publik në shërbimin e kërkim-shpëtimit. Ai shtoi se pjesë e ekipit do të jenë edhe tre mjekë dhe tre specialistë për struktura.
Ekipet do të jenë të pajisura me pajisje për thyerje për t’i shpëtuar njerëzit nën rrënoja si dhe kamera e pajisje për dëgjim.