Premtim zgjedhor për "ndryshim/rrëzim" të draft-Statutit të Asociacionit: PDK dhe LDK zotohen - NACIONALE

Premtim zgjedhor për "ndryshim/rrëzim" të draft-Statutit të Asociacionit: PDK dhe LDK zotohen

2 javë më parë

nga NACIONALE

Për krejt opozitën ajo çka Kurti ka pranuar në shkurt dhe mars të vitit të kaluar në Marrëveshjen Bazike/Ohrit dhe tekstin e ofruar në tetor (draft-Statutin) për Asociacionin e Komunave të banuara me shumicë serbe është “autonomi etnike territoriale”.

Partia Demokratike e Kosovës e para – në kontekstin zgjedhor – ishte zotuar se në eventualitetin e ardhjes së tyre në qeverisje “do ta ndërrojnë përmbajtjen” e draft-Statutit të Asociacionit.

Edhe Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, mbrëmë u zotua se me të ardhë LDK-ja në qeverisje tekstin e “autonomisë së Kurtit” do ta rrëzojnë me komente në Gjykatën Kushtetuese për atë çka, sipas tij, përmbahen “pesë shkelje bazike kushtetuese”.

Kryetari i Aleancës së Ardhmërisë së Kosovës, Ramush Haradinaj, nuk ka shprehur synimin e tij për ta sfiduar atë tekst: por se e ka quajtur “tradhti ndaj vendit” që mëton ta kthen vendin pas kaq shumë vitesh pavarësi me një dokument që ka Rezolutën 12/44 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara.

T’i hymë me rend...

Katër muaj më parë, zyrtari i lartë i PDK-së, Bernard Nikaj, në "Pressing" të T7 dha “premtim publik” të PDK-së që me të ardhë në qeverisje, do të punohet që ky draft-Statut të ndërrohet.

“Premtoj publikisht që një qeveri tjetër (me PDK-në) e ndryshon draftin në mënyrë konstukritve... publikisht... Me PDK-në, po e garantoj që ka hapësirë për përmirësim për draftin”.

Nikaj teksa sfidohej nga bashkëbiseduesit se sa realiste mund të jetë ky premtim, pa asnjë mëdyshje shprehej se “Me PDK-në, po të garantoj që ka hapësirë për përmirësim për draftin”.

Realiteti politik ndërkombëtar është që Kosovës i kërkohet një Asociacion. Pikë. Ka mbaru kjo punë”, thoshte Nikaj, por se PDK si forcë politike “kurrë në kushtetuese nuk e çon këtë draft ekzistues”.

Lumir Abdixihiku tha se LDK njëjtë siç ka rrëzuar “dhjetëra ligje antikushtetuese” do ta rrëzojë edhe këtë draft-dokument.

E para punës që duhet bërë është rrëzimi i kësaj autonomie. Unë do ta marrë përgjegjësinë, do ta dërgojë këtë tekst në Gjykatë Kushtetuese. Dhe do ta rrëzojë me gjithë komente, i kemi rrëzu dhjetë ligje si antikushtetuese dhe e rrëzojmë edhe këtë dokument”, ka thënë Abdixhiku në “Kallxo.com”.

Ky (Kurti) ka pranu draft të Asociacionit, e pastaj nuk e ka dërgu në kushtetuese për ta rrëzu, e ne do ta rrëzojmë. Draftin e ka pranu para liderëve evropianë dhe e ka mbrojtë para kuvendit të Kosovës. Ka dalë në foltore para neve ka fol sa e mirë është. I besoj GJK-së që do ta rrëzojnë, sepse jemi të bindur që është shkel kushtetuta në së paku pesë pika bazike”, tha Lumir Abdixhiku.

Ramush Haradinaj denonconte ashpër Kurtin se “ky njeri...i solli Kosovës dokument jo me fusnotë por me 12/44”.

Le ta harron çdokush këtë që mendon se një dokument mund të jetë në përputhje me Kushtetutën duke u thirrur në Rezolutën 12/44”, shprehej ai.

Qeveria dhe drafti

Me ta pranuar këtë draft-Statut në fund të tetoruit (një muaj pas Banjskës) Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ia kishte bërë apologjinë dokumentit në Kuvend të Kosovës para deputetëve si dhe në media.

Pakrahasimisht më i mirë se ç’ka qenë”, shprehej Kurti referuar draft Statut, anipse asnjëherë s’kishte pasur draft-Statut për Asociacion, por vetëm parime.

Edhe Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, para gazetarëve ishte shprehur se thjesht me një lexim sipërfaqësor kishte parë që dokumenti “është plotësisht në përputhje me Kushtetutën e Kosovës”.

U desht vetëm disa javë më vonë që në “Rubikon” të Klan Kosovës ta quante draft-Statut “skandaloz” dhe “të rrezikshëm” për vendin. Për këtë ndryshim vlerësimi Konjufca s’ka dhënë asnjëherë llogari.

Edhe Ministrja e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla, kishte vepruar thuajse njëjtë duke e quajtur fillimisht në linjë me Kushtetutën e Kosovës, për të vazhduar muaj më pas ta quajë “Republikë Srpska 2.0”.

Miratimi i këtij drafti dhe dërgimi i tij për rishikim kushtetues qe shndërruar në kusht për anëtarësim të Kosovës në Këshill të Evropës në fund të majit; për çka edhe dështoi anëtarësimi si pasojë e mos-miratimit dhe mosdërgimit të tekstit në Gjykatën Kushtetuese.

Lajme të ngjashme