"Prej teje po nij”, Haxhi Shala befasohet nga raportimet rreth akuzës për falsikifim të zgjedhjeve të 14 shkurtit - NACIONALE

"Prej teje po nij”, Haxhi Shala befasohet nga raportimet rreth akuzës për falsikifim të zgjedhjeve të 14 shkurtit

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Prokuroria Speciale ka ngritur aktakuzë ndaj 7 personave, për falsifikim të rezultateve, në zgjedhjet e 14 shkurtit 2021.

Ndërkohë nuk ka bazë për akuzë, ndaj Meliza Haradinajt Stublla, ish ministre e punëve të jashtme, e cila pati dhënë dorëheqje, pasi emri i saj u përfol për të njejtën situatë.

Në njoftimin zyrtar të Prokurorisë, thuhet se aktakuza i është ngritur edhe një ish deputeti të AAK-së, me inicialet H.SH. Në medie po raportohet se bëhet fjalë për Haxhi Shalën, i cili më parë ishte edhe deputet i subjektit NISMA.

Nacionale ka kontaktuar Shalën, për të pyetur nëse është ai subjekt i kësaj akuze, por Shala është përgjigjur se deri më tash nuk e di.

“Prej teje po nijë. Nuk e di” ka thënë Shala.

Njoftimi i Prokurorisë

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka ngritur aktakuzë ndaj 7 personave në lidhje me Zgjedhjet e Parakohshme të Përgjithshme Parlamentare për Kuvendin e Kosovës të mbajtura me datë 14 shkurt 2021

Prishtinë, 30 dhjetor 2022 – Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës njofton opinion publik se lidhur me zgjedhjet e Parakohshme të Përgjithshme Parlamentare për Kuvendin e Kosovës të mbajtura më datën 14 shkurt 2021, ka ngritur aktakuzë ndaj 7 personave, për shkak të dyshimit të bazuar se në bashkëkryerje e kanë kryer veprën penale Falsifikimi i rezultateve të votimit, e sanksionuar me nenin 216 të KPRK-së.

Në mesin e të akuzuarve janë: H. Sh. Ish deputet i Kuvendit të Kosovës gjatë legjislaturës së vitit 2019 nga radhët e subjektit politik Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), të pandehurve S. M., A.K., I. H., G. H., dhe D. G. që të gjithë zyrtarë të Qendrës për Numërimin e Rezultateve të KQZ-së dhe të pandehurit P.P.

Hetimet kanë vërtetuar se të pandehurit, kundërligjshëm ia kanë shtuar 65 vota kandidates për deputete M. H. S. nga radhët e AAK-së, kurse kandidatit H. Sh. ia kanë shtuar 3 vota.

Hetimet arritën të dëshmojnë përfshirjen e kandidatit H. Sh në kryerjen e veprës penale, mirëpo nuk arritën të sigurojnë prova të mjaftueshme për të vërtetuar dyshimin e bazuar se M. H. S. ishte e përfshirë në kryerjen e veprës penale.

Kjo çështje penale tashmë i ka kaluar në kompetencë Departamentit Special të Gjykatës Themelore në Prishtinë për procedurë të mëtutjeshme.

Lajme të ngjashme