Prej Dimal Bashës te Albin Kurti: Poshtërimet brutale të politikanëve ndaj grave kohët e fundit
Në skenën politike kosovare ka pasur vazhdimisht deklarime fyese ndaj grave, me apo pa vetëdije. Për nder të 8 marsit, Ditës Ndërkombëtare të Gruas, do të numërojmë disa prej deklaratave më poshtëruese të thëna kohët e fundit.
Dita Ndërkombëtare e Gruas shënohet në Kosovë duke përkujtuar veçanërisht rastet e përditshme të dhunës fizike e psiqike ndaj grave në familjet kosovare. Po ashtu, bëhet edhe duke përkujtuar rastin tmerrues të vrasjes së Hamide Magashit, gruas shtatzënë, në oborrin e QKUK-së.
Por, kohët e fundit përkundër rritjes së ndërgjegjësimit të paktën për paraqitjet publike, ka pasur deklarata brutalisht poshtërues në politikën e Kosovës.
Dimal Basha
Deputeti Dimal Basha e kishte shokuar gjithë vendin në fund të vitit të kaluar me mënyrën se si e kishte ndërtuar një fjali.
Derisa po fliste për Ferizajin dhe mungesën e hapësirave të gjelbra në të, ai në një moment shprehet si vijon:
“(Na duhet) një livadh ku mundemi me i lëshu nanat me lujtë... Unë jam që 150 mijë qytetarë me pasë një park të mirë,” – ishte shprehur z. Basha për RTV Dukagjinin.
Nëse në Biologji e kishte 1-sh, Basha duhej të ngelte edhe në emancipimin e të drejtave të grave.
Albin Kurti
Rasti i lartpërmendur i Hamide Magashit ishte aq i rëndë sa zor se linte vend për interpretim tjetër përveç atij gjinor. Një grua shtatzënë ishte vrarë nga burri prej të cilit po ndahej. Por, kryeministri megjithatë gjeti diçka tjetër për të thënë. Diçka tmerruese që relativizonte dhunën ndaj grave.
Duke shkruar me fjali të shkurta, kryeministri do të thoshte edhe: “Dy qytetarë të Kosovës më pak, dy shqiptarë më pak, do të jenë duke menduar armiqtë tanë. E papranueshme dhe e padurueshme.”
Edhe një lexim i tillë ishte parë si primitiv dhe i papërshtatshëm nga shumë aktivistë për të drejtat te grave.
Valon Ramadani
Përsëri Ferizaji. Përsëri gratë e Ferizajt. Përsëri një deputet i VV-së nga ky qytet.
Valon Ramadani nga kjo parti po garonte për t’u bërë kryetar i këtij qyteti, kur do të bënte një premtim që ishte konsideruar i çuditshëm.
“Një pikë që e kem në programin tonë që nuk i ka shku në mend askujt në asnjë palë zgjedhje, na e kemi ba premtim. Kemi me e mbajtë një festival, një herë në vit, ka me pasë një organizim në mënyrë profesionale dhe kemi me e zgjedhë super-gjyshen e vitit. Miss Gjyshja në Ferizaj, 1, 2 dhe 3 kanë me u zgjedhë,” – ishte shprehur ai.
Mimoza Kusari
Duhet pranuar se Mimoza Kusari ka qenë me raste shënjestër e deklaratave seksiste. Megjithatë, ajo e ka dëshmuar se po ashtu operon me bindje të njëjta.
“Si grua e keqe,” – e kishte quajtur ish-kryeministrin Avdullah Hoti derisa bënte deklarata politike. Së fundi, kur Hoti i përmendi bashkëpunëtorët e shumtë që kishte pasur, Kusari u ngut që ta cilësonte një gjë të tillë si seksizëm.
Haxhi Avdyli
Më së rëndi largimin e Doarsa Kica Xhelilit nga Lista Guxo dhe Grupi Parlamentar i Vetëvendosjes e kishte përjetuar... Haxhi Avdyli.
Ai do të ushqehej me terme seksiste për të dhënë komentin e tij në lidhje me këtë largim, natyrisht në mënyrë fyese.
“Kjo ‘motra’ jonë i kafshoi dorën e Vjosa Osmanit e partisë Guxo nga e cila u ushqye e u rrit (politikisht).” - ishte shprehur Haxhi Avdyli
Hajdar Beqa
Deputeti i PDK-së e ka bërë ndoshta një prej ofendimeve më të rënda në politikën tonë ndër vite.
Beqa e kishte quajtur “prostitutë politike” Mimoza Kusarin, megjithëse më vonë ishte munduar ta arsyetonte duke thënë se kjo nuk kishte të bënte me personalitetin por me veprimin e saj politik.
Haki Abazi
Deklarata ndoshta më e fundit është bërë nga deputeti Haki Abazi. Ish zv.kryeministri e quajti Mimoza Kusarin “Çadra e Gadafit” si përkujtim për një aktivitet që e kishte pasur Kusari bashkë me një delegacion të madh te ish-diktatori i Libisë. Kjo etiketë ka përforcuar më tej sulmet seksiste ndaj shefes së deputetëve të VV-së.



