Prej madhërimi në degradim: Qe qysh Peci u shërbye me punën e Fahrije Hotit në një konferencë ndërkombëtare
“E kemi ndërtuar me lotë e sakrificë...duam kërkimfalje nga Faton Peci”.
Kjo ishte thirrja e djeshme për Ministrin e Bujqësisë, Faton Pecin nga drejtuesja e Kooperativës Bujqësore “Krusha”, Fahrije Hoti – thirrje të cilës Peci i është përgjigjur, por ama jo me kërkimfalje: për të mos thënë me ‘kripë në plagë’.
Kthim në kohë: gushti i vitit 2021.
S’i kishte bërë as pesë muaj ministër dhe tashmë ishte i titulluar të përfaqësonte vendin ndërkombëtarisht në sektorin që drejtonte: zhvillimin rural.
Ishte në Brdo pri Kranju të Sllovenisë dhe para vetes po u drejtohet rreth njëmbëdhjetë homologëve të vet: përveç atyre nga rajoni aty ishin përfaqësues nga Berlini, Parisi, Vjena e Budapesti.
Ishte Konferenca Ndërkombëtare Ministrore “Gratë dhe pozita e tyre në zona rurale”
Me ta do të miratonte “Deklaratë të Përbashkët” e mbushur përplot shqetësim kontinental për “gratë që po largohen nga zonat rurale” dhe ajo deklaratë – në tekst – ishte tejet përmbajtësore dhe zotuese.
Gratë në zonat rurale – e sidomos ata që bien në fushëdrejtimin e tyre: bujqësinë – do të gëzonin në atë deklaratë “mbështetje të madhe”.
Por, aty Peci homologët e vet nuk do t’i linte pa një tregim madhështor të marrë nga vendi i vet: atë të grave heroike të Kooperativës Bujqësore “Krusha” dhe me emrin, jetën e biografinë të vetë Fahrije Hotit.
Vështirë se do të gjente ‘match’ në këtë rrëfim, dhe salla do të duhej të mbante vesh.
Në postimin e asaj dite njoftoi në Facebook se përballë himologëve fjalën “e fillova me historinë e Fahrije Hotit, gruas heroinë nga Krusha”.
“Nuk kisha se si ta tregoja ndryshe shembullin e veprimtarisë së grave në bujqësi se sa përmes historisë së Fahrijes dhe të gjitha grave të Krushës”, ishte fjalia e bukur e Pecit.
Gratë fermere – apoteoza e të cilave për Pecin ishin “Gratë e Krushës” – për Pecin përbën rrëfimin bosht në atë Konferencë Ndërkombëtare Ministrore.
Por, krejt kjo u rrënua si kështjellë prej rëre.
Fast-forward nëntor 2024...
Peci e gjeti veten të ketë miratuar grante bujqësore për vëlla-e-dajë të komisionares të cilës i raporton: deputetes së Vetëvendosjes, Fitore Pacollit – dhe duke refuzuar grant m’u bash për KB “Krushën”.
Por, kjo u shndërrua në temë për helm-hedhje ndaj kësaj kompanie kur Peci çpluhurosi arkiva të minsitrisë për të paraqitur letra e dokumente se ish-udhëheqësit e kanë paditur m’u saktësisht Fahrije Hotin “për moskthim fondesh”.
Fahrije Hoti bëri thirrje për kërkim falje nga Faton Peci: ky i fundit iu përgjigj me një foto në një restorant në periferi të Prishtinës me Albin Kurtin; e të nesërmen me disa shfira për grantet bujqësore për Krushë “tokën e lagur me gjak”; por hiç asgjë për Fahrije Hotin.
“Jam njollos unë, janë njollos gratë e Krushës – kjo kurrë s’ka ndodhur – Ministri Faton Peci të dalë të kërkojë falje...ose që e mban egon e tij, do ta denoncojmë”.
Drejtuesja e Kooperativës Bujqësore “Krusha” në konferencën për media ku adresoi, siç tha ajo, “shpifjet” e bëra nga Ministri i Bujqësisë, Faton Peci, ka kërkuar që ky i fundit të reflektojë me kërkimfalje publike ndaj grave të Krushës.
“Unë nuk e di ku e paska gjetë ai atë dosje”, tha Fahrije Hoti, duke mohuar se ajo është paditur ndonjëherë dhe që të ketë marrë ftesë nga ndonjë gjykatë; derisa kërkoi nga Peci që edhe ta ofrojë atë dosje.
“Ministri Peci më ka përmend që Fahrije Hoti është e paditur në gjykatë. Përkundrazi, unë nuk kam marrë ftesë të atillë. Nuk kam marrë asnjëherë, asnjë ftesë, që unë jam e paditur që s’paskna kthy mjetet të ekzekutuara 2015-2017”, tha ajo në konferencë për media.