Prattipati: Kosova mund të jetë partneri, fuqia punëtore dhe tregu që kërkojnë bizneset e ShBA-së - NACIONALE

Prattipati: Kosova mund të jetë partneri, fuqia punëtore dhe tregu që kërkojnë bizneset e ShBA-së

2 orë më parë

nga NACIONALE

Në një fjalim me rastin e 250-vjetorit të shtetësisë amerikane, e ngarkuara me punë në Ambasadën e ShBA-së, Anu Prattipati, tha se thellimi i integrimit të Kosovës në komunitetin ndërkombëtar po hap mundësi bashkëpunimi "të pakufishme", veçanërisht në mbrojtje, tregti e energji.

Sipas saj, investitorët amerikanë nuk kërkojnë thjesht treg shitjeje, por partnerë afatgjatë.

Kosova, tha ajo, mund t'i ofrojë njëkohësisht të tria këto, ngase një vend i qëndrueshëm nuk i shërben vetëm vetvetes, por edhe stabilitetit më të gjerë evropian.

“Teksa Kosova vazhdon të zhvillohet dhe të thellojë integrimin e saj në komunitetin ndërkombëtar, mundësitë për bashkëpunim, veçmas në mbrojtje, tregti, investime ekonomike dhe energji, janë të pakufishme.

Bizneset amerikane po kërkojnë partnerë të besueshëm, fuqi punëtore dhe tregje konkurruese. Kosova ka mundësi që të jetë të tri këto gjëra”, tha ajo, raporton Radio Evropa e Lirë.

Në një Oped disa javë më herë, Prattipati e kishte cilësuar lidhjen me rrjetin e gazit natyror të lëngëzuar hap të domosdoshëm për sigurinë energjetike të Kosovës, duke e quajtur energjinë jo thjesht çështje ekonomike, por edhe element të sigurisë kombëtare.

Ajo tha eksportet amerikane të GNL-së pritet të dyfishohen deri në vitin 2030, të shpërndara përmes infrastrukturave rajonale si Korridori Vertikal i Gazit dhe terminali lundrues në Kroaci, me një rrugë shtesë të mundshme përmes gazsjellësit që po e lidh terminalin e Aleksandrupolit në Greqi me Shkupin.

Për afatin, mesazhi i saj ishte pa ekuivoke: "Dritarja për t'iu bashkuar këtyre projekteve po mbyllet." Vonesa, paralajmëroi ajo, rrezikon ta lërë Kosovën vendi i vetëm i Ballkanit Perëndimor pa qasje në GNL-në amerikane.

Por, ndërsa Shtetet e Bashkuara po nxisin përfshirjen më të madhe të Kosovës në infrastrukturën rajonale të gazit, Qeveria e Albin Kurtit po e refuzon këtë mundësi, duke i paraqitur ShBA-së një alternativë të përqendruar në shfrytëzimin e rezervave vendore të qymyrit.

Në një letër drejtuar Ambasadës së Shteteve të Bashkuara në Prishtinë të siguruar nga KOHA, Ministria e Ekonomisë ka shprehur interes për bashkëpunim në iniciativa që lidhen me teknologjitë e gazifikimit të linjitit, duke kërkuar mbështetje profesionale dhe mundësi investimi nga partnerët amerikanë.

Dokumenti, i dërguar në prill nga ministrja në detyrë Artane e njofton të ngarkuarën me punë të ShBA-së se plani i Qeverisë mbështetet "në burimet e brendshme”.

“Ne do ta mirëpritnim mundësinë për të eksploruar fizibilitetin e ringjalljes së një objekti të tillë me programet e mbështetjes së energjisë të SHBA-së, duke e rreshtuar potencialisht këtë iniciativë brenda fushëveprimit të bashkëpunimeve të mëparshme të suksesshme midis Ministrisë sonë dhe Aktivitetit të Kosovës për Qëndrueshmërinë e Energjisë”, citohet të jetë shkruar aty ndër tjera.

Prattipati e kishte cilësuar vendimin si zgjedhje strategjike për Kosovën, duke e lidhur edhe me prioritetin e administratës Trump për uljen e varësisë së Evropës nga energjia ruse.

“Ne i bëjmë thirrje Kosovës që t’i bashkohet një partneriteti afatgjatë energjetik me Amerikën përmes GNL-së, për ta siguruar të ardhmen e saj energjetike.”

Lajme të ngjashme