Pozita dhe opozita zotohen se do të angazhohen për zgjedhjen e presidentit: A do të shmangen zgjedhjet? - NACIONALE

Pozita dhe opozita zotohen se do të angazhohen për zgjedhjen e presidentit: A do të shmangen zgjedhjet?

3 muaj më parë

nga NACIONALE

Pozita dhe opozita e kanë mirëpritur aktgjykimin e fundit të Gjykatës Kushtetuese, i cili flet për afatin shtesë për zgjedhjen e presidenti të Republikës së Kosovës. Askush prej partive parlamentare nuk i ka kontestuar konstatimit e aktgjykimit.

Pas publikimit të dokumentit, partitë politike kanë bërë thirrje për reflektim në 34 ditët e ardhshme.

Derisa përfaqësuesit e LVV-së, PDK-së, LDK-së dhe AAK-së janë shprehur të gatshëm për bashkëpunim rreth zgjedhjes së presidentit të ri, mbetet të shihet nëse do t`i përmbahen në praktikë zotimeve të tyre.

Shefja e Grupit Parlamentar të VV-së, Arbëria Nagavci, ka bërë me dije se ky moment duhet të shërbej si reflektim.

Në profilin e saj në Facebook, ajo ka shkruar se në ditët në vijim duhet të angazhohen të gjithë për zgjedhjen e presidentit.

Aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese konfirmoi se dekreti i shpallur nga Presidentja Vjosa Osmani për shpërndarjen e Kuvendit është në kundërshtim me Kushtetutën. Veprimet në pozitat institucionale duhet të kryhen me përgjegjësi të lartë dhe pa inate personale. Ky moment duhet të shërbejë për reflektim dhe për angazhim të të zgjedhurve të popullit, në mënyrë që vendi të mos futet në një krizë të re dhe në një cikël të përsëritur zgjedhjesh. Gjatë ditëve në vijim, duhet të angazhohemi të gjithë për të zgjedhur Presidentin dhe për të shmangur edhe një palë zgjedhje, të cilat janë të panevojshme dhe të padrejta”, ka shkruar ajo.

Edhe PDK-ja ka vlerësuar se e respekton vendimin e Gjykatës Kushtetuese.

Sekretarja e Përgjithshme e Partisë Demokratike të Kosovës, Vlora Çitaku, ka deklaruar se PDK-ja sot do ta mbledh kryesinë dhe deputetët për të diskutuar këtë çështje.

Ne e respektojmë vendimin e Gjykatës Kushtetuese si institucion kyç i rendit demokratik, ashtu siç kemi vepruar gjithmonë”, është shprehur Çitaku.

Ajo ka treguar se mbledhja e përbashkët e Kryesisë dhe të Grupit Parlamentar do të mbahet sot në ora 14:00.

Edhe kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, ka treguar gatishmëri për të kontribuar në zgjedhjen e presidentit të ri.

Vendimi i Gjykatës Kushtetuese ka sjellë qartësi të nevojshme në një moment të rëndësishëm institucional për vendin. Lidhja Demokratike e Kosovës e respekton plotësisht këtë vendim dhe e konsideron atë udhërrëfyes për veprimet e mëtejshme politike. Ky vendim nuk krijon epërsi për askënd. Ai e rikthen procesin në Kuvendin e Republikës dhe u jep deputetëve edhe një afat për të përmbushur detyrimin për zgjedhjen e Presidentit”, ka shkruar ai në profilin e tij në Facebook, duke treguar se çka i duhet Kosovës në këtë moment.

Në këtë fazë, siç kemi theksuar vazhdimisht, përgjegjësia kryesore mbetet te shumica parlamentare. Ajo ka pasur kohën dhe mundësinë për ta përmbyllur këtë proces dhe është detyrë e saj të ofrojë zgjidhje. Siç tashmë është e qartë, pa votat e shumicës, ky proces nuk mund të përmbyllet. Lidhja Demokratike e Kosovës beson se çështje të tilla nuk zgjidhen me imponim, por me marrëveshje politike ndërmjet forcave përfaqësuese. Presidenti i Republikës duhet të jetë figurë bashkuese, që reflekton unitet, garanton balancë institucionale dhe nuk është zgjatim i shumicës. Në këtë frymë, LDK mbetet e gatshme të kontribuojë në çdo përpjekje serioze për zgjidhje, që garanton stabilitet dhe funksionim normal të institucioneve. Por, njëkohësisht, nuk do të bëhet alibi e dështimeve të askujt”, ka shkruar ai.

Lajme të ngjashme