Power: Formimi i Asociacionit do të ndihmonte normalizimin e raporteve Kosovë-Serbi
Administratorja e Agjencisë Amerikane për Zhvillim Ndërkombëtar (USAID), Samantha Power, ka kërkuar nga Kosova dhe Serbia që t`i intensifikojnë përpjekjet e tyre për normalizim të marrëdhënieve në procesin e Brukselit.
Në konferencën e përbashkët për medie me presidenten Osmani, ajo ka thënë themelimi i Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe do të ndihmonte në normalizimin e raporteve në mes të dy vendeve.
“Biseduam për përparimin në normalizimin e raporteve me Serbinë, kompleksiteti i këtij dialogu të gjithë e kanë parasysh. Kam dëgjuar vazhdimisht se kosovarët besojnë se kjo është rruga e duhur që duhet të vijojë vendi i tyre. Në takimet me kryeministrin dhe Osmanin kam theksuar mbështetjen e fuqishme të SHBA-së për normalizim dhe kam inkurajuar që Kosova dhe Serbia të intensifikojnë përpjekjet që ta shpejtojnë rrugën drejt normalizimit. Themelimi i Asociacionit do t’i ndihmojë normalizimit të raporteve dhe zhvillimit ekonomik dhe biznesit”, ka thënë Power.
Zyrtarja e lartë amerikane është shprehur e lumtur me të arritur e Kosovës.
Ajo ka thënë është e vështirë që të gjej fjalët që të shpreh se në çmasë ka ndryshuar Kosova nga viti 1999.
“Është një Kosovë e ndryshme nga ajo që kam parë herën e fundit, e kjo ka ndodhur si rezultat i në vendosmërie të hekurt të popullit të këtij vendi. Po e lë Kosovën me një optimizëm të madh për të ardhmen e saj, ky vend i ri ka hedhur hapa gjigand gjatë kësaj kohe”, ka deklaruar Power.
Asociacionit t`u përmbahet parimeve të Escobarit dhe Cholletit
Zyrtarja e lartë amerikane edhe dje ka kërkuar nga institucionet e Kosovës që të intensifikojnë punën e tyre në formimin e Asociacionit.
Gjatë një konference të përbashkët me kryeministrin Kurti, ajo ka treguar edhe për parimet mbi të cilat duhet të formohet asociacioni.
Sipas saj, Asociacioni duhet të bëhet sipas parimeve që i ka paraqitur këshilltari i Departamentit Amerikan të Shtetit, Derek Chollet, dhe emisari i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar.
“Normalizimi do të jetë shumë i mirë dhe dobishëm edhe për biznesin. Kemi pasur diskutime edhe për urgjencën e krijimit të Asociacionit, por edhe zbatimit të plotë të gjitha aspekteve të marrëveshjes. Po ashtu kemi shpresë që palët do të kalojnë në fazën e ardhshme të dialogut me propozime specifike. Ne e kemi bërë shumë të qartë nëpërmjet zotëri Cholletit dhe Escobarit se cilat janë parimet dhe po ashtu besojmë se çdo asociacion do t’iu përmbahet atyre kushteve”, ka thënë Power.
Në këtë adresim, ajo ka bërë me dije se qëndrimin amerikan rreth epilogut të këtij procesi nuk ka ndryshuar.
Power ka vlerësuar procesi duhet të përfundoj me njohje reciproke.
“Shtetet e Bashkuara janë të përqendruara në zbatimin e kornizës së normalizimit të marrëdhënieve dhe arritjes së normalizimit. Gjithmonë ka qenë qëndrimi i Shteteve të Bashkuara se kjo duhet të rezultojë në njohje të ndërsjellë, e cila natyrisht se mbetet ende pozicioni ynë. Por, tash për tash, përqendrimin e veçantë e kemi sjellur te Asociacioni i Komunave të banuara me shumicë serbe, si dhe rëndësinë që serbët e Kosovës të kthehen në institucione sepse kjo do të jetë tejet e rëndësishme që gjërat të jenë stabile dhe normalizimi të ec para”, është shprehur ajo.
Sipas saj, procesi i normalizimit do të ndihmonte të dy vendet.
“Si një Zyrtare e Lartë e Administratës Biden që vizitoj Kosovën po ashtu kam ardhur të rifuqizojë mesazhin që Administrata Baden ka dhënë në lidhje me zbatimin e marrëveshjeve të cilat do të prodhojë normalizim të marrëdhënieve që do të jetë jashtëzakonisht i rëndësishëm për Kosovën dhe Serbinë. Normalizimi do të jetë shumë shumë i mirë”.
