Postimi 'kamatë 0%' i Muratit për të kapitalizuar krizën, u kthye në bumerang politik për VV-në me 'interes të lartë'
Ish-ministri i Financave, Hekuran Murati, u shfaq dje si një lloj kambane alarmi për mundësinë e humbjes së një kredie strategjike prej 90 milionë eurosh nga Banka Botërore. Postimi i tij u pasua me një reagim masiv qytetar, me tone të ashpra dhe akuza drejtuar Vetëvendosjes si shkaktare e ngërçit.
Pas dështimit të 36-të me radhë për konstituimin e Kuvendit të hënën, Murati bëri sërish përgjegjëse partitë e tjera, duke i akuzuar për mungesë bashkëpunumi në zgjedhjen e kryeparlamentarit, ndonëse disa prej tyre janë shprehur të gatshme për votë 'pro' në rast të një emri tjetër.
Ish-kreu i Finanacave paralajmëroi për rrezikun që mjetet “t’i jepen një shteti tjetër”, në rast se marrëveshja me "kamatë 0%" nuk kalohet në Kuvend.
“Janë 90 milionë euro të alokuara nga Banka Botërore për Kosovën, të cilat po presin ratifikimin nga Kuvendi që nga muaji maj i vitit të kaluar. Ky lloj financimi është i veçantë sepse ka kamatë 0%. Shumë shtete do të dëshironin të përfitonin nga një financim i tillë, por Kosova është ndër shtetet e rralla që ka përfituar falë reformave të ndërmarra dhe menaxhimit të mirë të financave publike. Partitë opozitare gjatë legjislaturës së kaluar kishin refuzuar të votonin ratifikimin, ndërsa tash po e pamundësojnë edhe konstituimin e legjislaturës së re duke mos marrë fare pjesë në votim, duke prolonguar kështu ratifikimin e kësaj marrëveshjeje.” – shkroi Murati ndër të tjera.
“Por Banka Botërore e as bota nuk mund të na presin pafundësisht. Nëse marrëveshja për 90 milionë euro me kamatë 0% nuk ratifikohet deri në shtator, ekziston rreziku shumë i lartë që këto mjetet t’i merren Kosovës dhe ti jepen një shteti tjetër. Prandaj është jetike që opozita të reflektojë dhe të mundësojë konstituimin e Kuvendit, e pastaj edhe të votojë këtë marrëveshje. Inatet politike nuk do të duhej t’i kushtonin shtetit tonë.” – tha Murati më tej.
Postimi i Muratit mori reagime të ashpra në komente, me qytetarë të shumtë që drejtuan gishtin pikërisht te Vetëvendosja dhe partitë e tjera në koalicion me të, për përgjegjësi të drejtpërdrejtë rreth ngërçit institucional.
Shumë nga ta kërkuan ndryshimin e kandidatit për kryeparlamentar si një zgjidhje e thjeshtë dhe e arsyeshme për të evituar humbjen e një shume kaq të rëndësishme financiare.
“Nëse nuk doni me humbë 90-milonshin, ndërrone kandidaten së vërteti. E shkoj gjatë, e çuat gjatë pa nevojë e pa arsye.Inatet politike janë ka shkojnë tu u trashë e tu u shtu, nëse vazhdohet kështu. Nuk ka rëndësi kush është kryetar Kuvendi. Kryetari i Kuvendit mua më duket bash si një kryetar fshati; disa privilegje i ka, por peshë të madhe joooo.” – shkroi ndër tjerash një qytetar në postimin e Muratit.
Një tjetër qytetar e akuzoi Muratin për fajësim të tepruar të opozitës “për çdo gjë që është zhvilluar në Kosovën e pasluftës”:
“Ministër, na keni lodh, njëherë duke fajësu pozitën 20-vjeçare për çdo gjë që është zhvilluar në Kosovën e pasluftës, e tani duke e fajësu opozitën e tanishme për dështimet e juaja si partia e parë që keni dalë në zgjedhje! Paturpësia s'paska fund, a po e shihni more veten se çka keni thanë kur nuk jeni kanë partia e parë për zgjedhje të kryeparlamentarit! Ma së shumti kontriboni mos me fol hiç, se e keni tepru me idiotësi, merrni qatō rroga e mos bani za, se na keni lodh!”
"Albulana vlen më shumë se 90 miliard, vlen më shumë se fëmijët tanë, vlen më shumë se të gjithë ne, vlen më shumë se krejt Kosova", shkroi një tjetër qytetar.
Murati reagoi sërish në Facebook, kësaj here duke e kthyer vëmendjen ndaj gazetarit Adriatik Kelmendi, të cilin e akuzoi për dezinformim, me këtë të fundit që e lexoi postimin e Muratit si: “ose Albulena Haxhiu kryeparlamentare, ose Kosova i humb 90 milionë euro.”
Murati tentoi të mohojë përmbajtjen e postimit të tij të mëparshëm, ndërkohë që në të njëjtin tekst kishte lidhur qartazi ratifikimin e marrëveshjes me krizën e konstituimit. Në reagim, Murati tha se “Marrëveshja me Bankën Botërore po e pret ratifikimin në Kuvend që nga maji 2024, kur çështja e konstituimit të Kuvendit nuk ka ekzistuar fare.”
Megjithatë, Murati në postimin e tij të parë e lidhi kalimin e kësaj marrëveshje pikërisht më ngecin aktual duke shkruar: “... është jetike që opozita të reflektojë dhe të mundësojë konstituimin e Kuvendit, e pastaj edhe të votojë këtë marrëveshje.”
Absurdi i një postimi të tillë amplifikohet nga deklaratat e kreut të partisë së tij, Albin Kurti, i cili vazhdon të pretendojë se i ka votat e nevojshme për formimin e qeverisë.