“Postierë të Vuçiqit”: “I madh e i vogël” në Qeverinë Kurti e VV kritikojnë Borrellin e Lajçakun - NACIONALE

“Postierë të Vuçiqit”: “I madh e i vogël” në Qeverinë Kurti e VV kritikojnë Borrellin e Lajçakun

1 vit më parë

nga NACIONALE

Që nga dje kur përfundoi takimi mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, që u mbajtë në kuadër të dialogut të Brukselit, kanë shpërthyer kritikat ndaj dyshës së BE-së, Josep Borrell dhe Miroslav Lajçak. Të gjitha këto sulme erdhën pas kritikave të ashpra nga ana e Kurtit në drejtim të Borrellit dhe Lajçakut.

Në fakt, shumë nga kritikat nga ana zyrtarëve të VV-së lënë përshtypjen e sulmeve direkte në drejtim të dy zyrtarëve të lartë të BE-së. Po ashtu, narrativa e sulmeve e kritikave të VV-së është e ngjashme, nëse jo e njëjtë, duke e akuzuar Borrellin dhe Lajçakun se kanë marrë “anën e Serbisë”.

Në vallen e kritikës e sulmeve ndaj dyshës evropiane ka hyrë edhe Mefail Bajqinovci, deputet i VV-së. Sipas tij, Borrell e ka humbur rolin e ndërmjetësit, pasi e ka marrë anën nga Serbia.

“Borell që prej kohësh e ka humbur rolin e ndërmjetësit duke marrë anë nga Serbia, normalisht që një një moment edhe do të stërkeqet ende më shumë: do të fillojë të gënjejë faqe botes.” – shkroi Bajqinovci.

Ndërsa Basha i quajti Borrellin e Lajçakun, postier të Vuçiqit.

“Të mbahet mend,

Dokumentin e ‘kompromisit’ që ia dorëzon BE Kryeministrit, ku e kushtëzojnë vazhdimin e bisedimeve me themelimin e Asociacionit, ishte 𝐧𝐣ë 𝐝𝐨𝐤𝐮𝐦𝐞𝐧𝐭 𝐢 𝐬𝐡𝐤𝐫𝐮𝐚𝐫 𝐧ë ç𝐢𝐫𝐢𝐥𝐥𝐢𝐜ë!

Pra Borell e Lajçak janë shëndrru në postier të Vuçiqit!” – shkroi ai.

Luan Dalipi, shef i Kabinetit të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, e ka kritikuar qasjen e BE-së, më saktësisht të Josep Borrellit, shef i diplomacisë së BE-së, dhe Miroslav Lajçakut, i dërguar i posaçëm i BE-së për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë.

Duke e shpërndarë një postim të Kurtit, në të cilin kryeministri e publikoi planin e tij të sekuencimit të zbatimit të Marrëveshjes Bazike, i cili plan nuk u pranua nga BE-ja, Dalipi ka përdorur një metaforë banale për të kritikuar dyshën evropiane.

“Në negociata, të këmbëngulësh në një kusht përpara se t'u drejtohesh të tjerëve është si të ndërtosh një shtëpi duke përsosur fillimisht dhomën e ndenjes, duke injoruar themelin dhe strukturën. Është thelbësore të merren parasysh të gjitha aspektet për një marrëveshje të balancuar dhe efektive.” – shkroi ai.

Edhe ministri i Financave, Hekuran Murati, reagoi ndaj Borrellit e Lajçakut me tone kritike, duke thënë se një propozim që e kishte dhënë Serbia gjashtë muaj më parë, më 14 shtator është paraqitur si qëndrim i Bashkimit Evropian.

“Në vend të një propozimi real, HR Borrell i BE-së paraqiti një nga kërkesat 6-mujore të Serbisë, duke e maskuar atë si një propozim kompromisi që vjen nga BE-ja. Për cilin propozim Serbia – e keni marrë me mend mirë – i tha po. Borrell dhe Lajcak as nuk po përpiqen ta fshehin më.” – ka shkruar Murati.

Ndërsa Elvis Hoxha, anëtar i Kryesisë së VV-së, e akuzoi Lajçakun se është anëtar i një partie pro-ruse në Sllovaki.

“Bashkimi Evropian përfaqësohet me Lajçakun, anëtar i partisë pro-ruse ne Sllovaki.

Duhet ta themi se në BE ka njerëz që kanë imagjinatë të zhvilluar për krijimin e problemeve, por mungojnë njerëzit që dinë të normalizojnë.” – shkroi ai.

Radha për të hyrë në vallën e kritikave ndaj Borrellit e Lajçakut, i erdhi edhe një zëvendësministri që u emërua së fundmi. Zëvendësministri i Drejtësisë, Vigan Qorrolli, shkroi se Borrell e Lajçak e kanë humbur neutralitetin.

“Qartesisht dhe pastertisht dy emisaret evropian, spanjolli Borell dhe sllovaku Lajçak -- e kane humbur asnjanesine dhe neutralitetin e tyre ne dialogun jokuptimor te Brukselit!”, ka shkruar Qorrolli.

Lajme të ngjashme