Dhoma, shtëpia: Dalipi i Kurtit e kritikon qasjen e Borrellit e Lajçakut me një metaforë banale
Luan Dalipi, shef i Kabinetit të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, e ka publikuar një shkrim në gjuhën angleze në rrjetin social X. Në këtë shkrim, ai ka kritikuar qasjen e BE-së, më saktësisht të Josep Borrellit, shef i diplomacisë së BE-së, dhe Miroslav Lajçakut, i dërguar i posaçëm i BE-së për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë.
Në fakt, z. Dalipi e ka shpërndarë një postim të Kurtit, në të cilin kryeministri e publikoi planin e tij të sekuencimit të zbatimit të Marrëveshjes Bazike, i cili plan nuk u pranua nga BE-ja.
Në shkrimin e tij, Dalipi e ka përdorur një metaforë banale për të kritikuar dyshën evropiane.
“Në negociata, të këmbëngulësh në një kusht përpara se t'u drejtohesh të tjerëve është si të ndërtosh një shtëpi duke përsosur fillimisht dhomën e ndenjes, duke injoruar themelin dhe strukturën. Është thelbësore të merren parasysh të gjitha aspektet për një marrëveshje të balancuar dhe efektive.” – shkroi ai.