"Poshtërim; fushatë": Opozita e pakënaqur me Qeverinë Kurti, kërkon rritje edhe më të madhe të pagës minimale
Sot Qeveria e Kosovës, që udhëhiqet nga kryeministri Albin Kurti, vendosi që paga minimale bruto të jetë në vlerë prej 350 eurove. Një vendim i tillë bëri jehonë në profilet e pushtetit, megjithatë opozita dhe analistë të ndryshëm nuk e ka përshëndetur këtë rritje të pagës minimale. Çka u tha?
Përmes një shkrimi në Facebook, Ramush Haradinaj, lider i AAK-së, ka vlerësuar se kjo rritje e pagës minimale “është poshtërim”. Tutje, vendimin e sotëm, Haradinaj e ka lidhur me fushatën për zgjedhje. Tutje, Haradinaj vlerësoi se paga minimale sot duhet të jetë 450 euro.
“Kjo pagë minimale është poshtërim
Ata që s’kanë preokupim tjetër përpos si të mbeten në pushtet, gjithmonë në prag të zgjedhjeve, dalin me mashtrimet e radhës për rritje pagash, ulje çmimesh, vende pune e lloj-lloj mrekullirash të tjera.
Në kuadër të një fushate për zgjedhje, Qeveria e VV-së, sot paska marrë vendim që të rritet paga minimale në 350 euro” – shkroi Haradinaj.
Anëtari i Kryesisë së PDK-së, Arben Mustafa, ka shkruar se tani kur çmimet janë rritur, nuk do të këtë ndonjë efekt vendimi për pagën minimale prej 350 eurove.
“Pas lajmit “të madh” për zbritjen e tatimit për 6.80 euro, sot qeveria paska prodhuar një lajm tjetër të ngjashëm për pagën minimale bruto 350 euro.
Ky lajm do të kishte zënë më tepër vend para katër viteve kur e kanë filluar mandatin, por tani në këto kushte të çmimeve të rritura, nuk dihet kujt do t’ia ndryshoj jetën ky vendim.
Qeveria, përkatësisht Ministri i Financave, do të ishte mirë të na tregojë sot se çka po bënë për zhvillimin ekonomik dhe, rrjedhimisht, për rritjen e pagës mesatare në Kosovë, e cila ka ngecur e fundit në rajon dhe po e mbanë Kosovën në krye të listës së varfërisë në Evropë” – ka shkruar ai.
Aktivisti i PSD-së, Nol Nushi tha se qeveria ka reaguar me vonesë me nevojat e qytetarëve, duke e bërë kështu të ndihet gjithmonë në krizë dhe i pasigurt.
“Rritja e pagës minimale do të duhej të ishte lajm i mirë. Fatkeqësia është që ky vendim nuk është aq lajm sepse po vjen si formalizim i asaj që tashmë po ndodhë në treg. Bile ky është edhe ndryshim I vetë ligjit fillestar të kësaj qeverie, që tregon keqllogaritje. Qeveria vazhdimisht ka reaguar me vonesë karshi nevojave e konomike e sociale. Ligjin e pagave e solli me vonese, vetëm pas protestave të mëdha të SBASHK-ut. Ai ligj ende nuk është i plotë sepse nuk ekzekutohen shtesat për shumë kategori. Shtesat e policëve, fillon me i ekzekutu vetëm pas protestave disa mujore të njësive elitare policore. Pagat e minatorëve ekzekutohen vetëm pas grevave etj. Kështu qytetari është vazhdimisht në borxh, në krizë dhe i pasigurt” – shkruan Nushi.
Ndërsa Jusuf Azemi, kryetar i Sindikatës së Punëtorëve në Sektorin Privat, e ka cilësuar këtë vendim si pjesë të fushatës parazgjedhore.
“Por në moment kur një partner merr vendim pa u konsultuar me partnerin që është i obliguar për ta bërë këtë, ne edhe këtë do të ja kishim falur sikurse paga minimale të jetë sipas kërkesës sonë që kohën fundit e kemi kërkuar që ajo duhet që të jetë 500 euro. Nën pagën 500 euro, normal që ne nuk do të pranojmë dhe nuk do të jemi të kënaqur, jo pse ne nuk po pranojmë por kushtet dhe rrethanat nuk po lejojnë që të behët një jetë ekzistenciale me nën këtë pagë. Duke marr edhe pagat minimale që i kemi në rajon, mendojmë që kemi pagë në rajon që janë mbi 600 euro, kemi pagë në rajon që është edhe 400 euro dhe ne kemi thënë që paga optimale duhet që të jetë paga prej 500 euro. Këtë vendim që e ka marr mendojmë që më tepër është vendim parazgjedhor sepse këtë ka mundur që ta merr qysh në fillim të mandatit” – tha Azemi për Ekonomia Online.
Ndërsa analisti Bleron Baraliu e vlerësoi këtë rritje të pagës minimale si tallje me varfërinë në Kosovë.
“Paga minimale prej 350 është tallje me realitetin dhe varfërinë në Kosovë. Është strofë nga poezitë e Migjenit, ironi me votuesit që kanë sjellë në krye një qeveri gjoja se socialiste. Në minimum dhe me urgjencë kjo pagë duhet të ngritet në 550 euro.
Unë, po të garoja në zgjedhje, pikën e parë të programit do ta kisha pagën minimale 700 euro me zero taksim (përveç kontributit për pension) dhe ngritje nga 100 euro çdo vit deri në 1,000” – tha ai, ndër të tjera.