“A ju kujtohet kur Albin Kurti premtonte lirim?”: Valë reagimesh pas propozimit të ZRrE-së për rritjen e çmimit të rrymës - NACIONALE

“A ju kujtohet kur Albin Kurti premtonte lirim?”: Valë reagimesh pas propozimit të ZRrE-së për rritjen e çmimit të rrymës

1 vit më parë

nga NACIONALE

Zyra e Rregullatorit të Energjisë (ZRrE) ka propozuar një rritje prej 15% të tarifave të energjisë elektrike, duke nxitur reagime të ashpra në opinionin publik. Vendimi është bazuar në raportin konsultativ mbi të hyrat maksimale të lejuara, një proces i cili, sipas ZRrE-së, mbetet i hapur për diskutime dhe komente nga palët e interesuara.

Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë e Kosovës ka shprehur shqetësimin për këtë rritje, duke paralajmëruar ndikime të rënda në sektorin privat.

Një ngritje e tillë e çmimit, e bënë sektorin privat në Kosovë më të pafavorshëm ndaj konkurrencës që vjen nga jashtë dhe kjo mund të përcillet me pasoja të tjera, siç janë: ulja e prodhimit dhe e numrit të punëtorëve.” – thuhet në reagim.

DhTI gjithashtu kritikoi mungesën e konsultimeve të duhura me bizneset dhe mungesën e një analize të detajuar mbi ndikimin ekonomik.

"Ky vendim konsiderohet se është bërë pa konsulta të duhura me bizneset dhe pa një analizë të duhur për pasojat që mund të sjellë kjo rritje tek prodhuesit vendës." – thuhet në reagim.

Nga ana tjetër, opozita ka kritikuar Qeverinë Kurti, duke rikujtuar premtimet e mëparshme për uljen e çmimit të energjisë.

Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Hykmete Bajrami, theksoi se rritja aktuale është e treta nën udhëheqjen e Kurtit.

“A ju kujtohet kur Albin Kurti premtonte lirim të çmimit të energjisë? Nën qeverisjen e tij, çmimi i energjisë po rritet për herë të tretë dhe tashmë ka kohë që është dyfishuar! ZRRE ka propozuar rritje të tarifave për 15% nga data 1 Prill, por kjo nuk është rritja e vetme këtë vit. Me vendim të ZRRE-së, KESCO ka filluar procedurat për të detyruar që të dalin në treg të hapur të gjitha ndërmarrjet që punësojnë mbi 50 punëtorë ose që kanë qarkullim mbi 10 milionë euro.” – ka shkruar Bajrami.

Bajrami tha se Qeveria për katër vite nuk bëri asnjë lehtësim për bizneset, përkundrazi ka rritë çmimin e energjisë.

“Qeveria për 4 vite nuk bëri asnjë lehtësim për bizneset, përkundrazi ka rritë çmimin e energjisë, ka rritë tatimin në pronë, mbledh tatimet nga ato dhe blen vota për të qëndruar në pushtet! Liberalizimi i tregut duhet të ndodhë, por duhet gjetë mënyrën dhe kohën e duhur, përfundimisht tani as nuk është koha dhe as mënyra e duhur. Poshtë politikat kundër bizneseve!” – ka shkruar Bajrami.

Ndërsa, deputetja e PDK-së, Blerta Deliu, në reagimin e saj tha se rritja e tarifës së energjisë për 15% është e papranueshme dhe e dëmshme për qytetarët dhe bizneset.

Ajo tutje ka thënë se nëse ky propozim kalon, atëherë i bie për 4 vite, çmimi i rrymës është rritur për 130%.

“Propozimi i ZRrE-së për rritje të tarifave të energjisë prej 15% është i papranueshëm dhe i dëmshëm për qytetarët dhe bizneset. Në rast se ky propozim kalon, rritja do të jetë 130%, edhe atë, vetëm katër vitet e fundit. Çmimet e larta, pagat e njëjta, ndërkohë përsëri rritje të çmimit të rrymës. Për besë, kjo gjendje nuk guxon të tolerohet.” – ka shkruar Deliu.

Lajme të ngjashme