Portali i afërt me Vetëvendosjen e dëshmon me video që Albin Kurti kurrë nuk ka qenë ushtar i UÇK-së
Një video është shpërndarë në një portal i porsahapur, por që gëzon përkrahjen e pushtetit të Lëvizjes Vetëvendosje. Aty shihet kryeministri aktual i Kosovës, Albin Kurti, në kohë të luftës.
Në videon e publikuar nga portali “Kosova News”, e cila u cilësua ekskluzive, ndonëse nuk është e tillë, shihen udhëheqësit e lartë të Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Ditë më parë, zëdhënsi i VV-së, Arlind Manxhuka, shpërndau një shkrim të këtij portali, ndonëse kishte më pak se 2 ditë që ishte formuar.
Jakup Krasniiq, Ramë Buja e Sokol Bashota shihen të uniformuar. E krahas mysafirëve të huaj, në Shtab të UÇK-së shihet edhe Kurti.
Dy gjëra bien në sy në videon e publikuar.
E para, ndryshe nga Krasniqi e të tjerët, Kurti shihet në rroba civile. Pra kryeministri atëbotë ishte i pauniformuar. Kurti në video është pa uniformë të UÇK-së dhe është i veshur me një pallto pa emblemë të UÇK-së.
E dyta, Kurti i përshëndet liderët e UÇK-së, të cilët gjendeshin brenda në objektin ku ishte vendosur Shtabi në Dragobil të Malishevës. Kurti vërehet teksa e i zgjat dorën Jakup Krasniqin dhe Sokol Bashotën, gjë e cila lë të nënkuptohet se shefi i ekzekutivit nuk ishte prezent në Shtab në kohën kur amerikanët arritën aty.
Kurti nuk shihet as në krah të Krasniqit e të tjerëve, teksa këta po deklaroheshin për mediat e shumta që po ndiqnin takimin e komandantëve të UÇK-së me Larry Rossin, diplomat i njohur amerikan.
Kurti i rrethuar me ushtarët e armatosur të UÇK-së, shihet afër diplomatit amerikan, teksa shikon në drejtim të kamerës që po inxhizonte.
Në fund, i buzëqeshur e pa uniformë, Kurti pozon me ushtarët e UÇK-së dhe amerikanët.
Kujtojmë që një debat i madh ishte bërë në Kosovë në lidhje më atë nëse Kurti ka qenë ushtar i UÇK-së.
Sylejman Selimi, ish-komandant i UÇK-së, e Rrustem Mustafa, ish-komandant i Zonës Operative të UÇK-së në Llap, kishin deklaruar se Kurti ishte pjesë e luftës çlirimtare.
Por, shumë komandantë të tjerë, përfshirë Sami Lushtakun, ish-komandant i Zonës Operative të Drenicës, kishte kundërshtuar deklaratën e Selimit e Mustafës.
Kujtojmë që Albin Kurti gjatë vitit 1999, ka qenë sekretar i Zyrës Politike të UÇK-së në Prishtinë, e cila udhëhiqej nga veprimtari Adem Demaçi, e së bashku dhanë dorëheqje nga kjo Zyrë.
E pastaj, Kurti ra në duar e Serbisë, si i burgosur politik, e për t’u liruar tek pas çlirim të Kosovës.