Portali i afërt me Elvis Hoxhën e sulmon Lajçakun përmes "Kremlinit", faqja e Putinit që Kosova e ka bllokuar - NACIONALE

Portali i afërt me Elvis Hoxhën e sulmon Lajçakun përmes "Kremlinit", faqja e Putinit që Kosova e ka bllokuar

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Elvis Hoxha, anëtar i Kryesisë së Lëvizjes Vetëvendosje, më 14 shtator, pra saktësisht para dy dite, ka publikuar një shkrim të çuditshëm në profilin e tij. Ai shpërndau një lajm të “Rruga Press”, portal i afërt me Hoxhën dhe narrativën e VV-së, ku komentohej figura e Miroslav Lajçakut, i dërguar i Posaçëm i BE-së për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë. Çfarë shkroi portali që shpërndanë qëndrimet e Kurtit, VV-së e "Grupit të Tiranës"?

Në lajmin e titulluar “Kur Fisco lobonte tek Putini për të bërë Lajçakun shef të OKB-së”, portal i afërt me Hoxhën, i cili vazhdimisht i shpërndanë shkrimet e “Rruga Press”-it, ka përdorur një burim absolutisht të çuditshëm. Në përpjekjen e tyre për ta kritikuar figurën e Lajçakut, ky portal ka përdorur faqen zyrtare të presidentit të Rusisë, Vladimir Putin, të quajtur “Kremlin.ru”.

Nacionale nuk ka arritur të verifikojë përmbajtjen e dokumentit të cituar, pasi faqja “Kremlin.ru” është e paqasshme në territorin e Kosovës, pasi Kosova i ka bllokuar faqet që propagandojnë narrativën zyrtare të regjimit të Putinit si “Kremlin.ru”, Sputnik e TASS. Pra portali i afërt me Elvis Hoxhën shpërndau transkriptin e një ueb faqeje të bllokuar nga shteti i Kosovës, shkruan Nacionale.

Sigurisht, lajmin e shpërndarë nga Hoxha e ka pëlqyer edhe Hysamedin Feraj, këshilltar i kryeministrit Albin Kurtit.

Por çfarë shkruante në shkrimin e botuar nga “Rruga Press”?

Në shkrimin, të cilin e shpërndau edhe Hoxha, shkruhej rreth një lobimi të ish-kryeministrit të Sllovakisë, Robert Fico, për të bërë Lajçakun sekretar të OKB-së. Në shkrim raportohet se “Më 25 gusht 2016, kryeministri asokohe i Sllovakisë darkonte me Putinin në Moskë dhe lobonte për mbështetjen ruse që Ministri i tij i Jashtëm asokohe, Miroslav Lajçak, të bëhej Sekretari i Përgjithshëm i ardhshëm i OKB-së.", transmeton Nacionale.

Si burim i këtij lobimi, gazeta ka përdorur faqen zyrtare të presidentit rus Putin “Kremlin.ru”, e cila është e paqasshme në territorin e Kosovës.

“Sipas një transkripti të publikuar në faqen e internetit të Kremlinit, Fico i thontë Putinit: “Ne kemi një kandidat interesant dhe do të përpiqemi të gjejmë mbështetje nga ana juaj”.” – shkruhet në lajm, teksa shkruhet se ky takim e lobim erdhi pasi Rusia tashmë e kishte aneksuar Krimenë.

Në fund të lajmit, portali “Rruga Press” i shtron edhe dy pyetje.

“A duhet sot dialogu Kosovë-Serbi të lehtësohet nga dikush që lobon tek Putini për të kapur pozicione kyçe politike ndërkombëtare?

Sa kredibilitet ka BE-ja kur ai që i kërkonte votën Putinit në vitin 2016, përfaqëson interesat e saj në Ballkan vetëm pak vite më pas, ndërkohë që po kjo BE ndodhet në krizë energjitike, iflacion e recension ekonomik si shkak i agresionit rus të Putinit në Ukrainë?” – shtron pyetjet “Rruga Press”.

Ndryshe, faqja “Kremlin.ru” ishte përdorur nga Putini në qershor të vitit 2021 për të lansuar një ese të gjatë në lidhje me Ukrainën. Në esenë “Mbi unitetin historik të rusëve dhe ukrainasëve”, Putini në “Kremlin.ru” e mohon ekzistencën e kombit ukrainas. Kjo ese konsiderohet, në fakt, si një paralajmërim për pushtimin e Ukrainës në shkurt të 2022.

Lajme të ngjashme