“Populli i Kosovës është përzemërsisht falënderues”, pritet ngrohtësisht deputetja “pro Kosovës” në Parlamentin britanik
Zëri i fuqishëm i Kosovës në Britaninë e Madhe, Alicia Kearns, e cila është deputete në Parlamentin Britanik, ndodhet për një vizitë në Kosovë. Kearns ka qenë vazhdimisht e ashpër në thirrjet e saj për marrjen e masave ndaj shtetit serb pas sulmit terrorist dhe paramilitar të 24 shtatorit. Gjatë vizitës së saj në Kosovë, Kearns u takua me krerët e shtetit dhe politikanë ku u falënderua për punën e saj në mbështetjen ndaj Kosovës.
Në takimin me deputeten britanike, Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka falënderuar për deputeten britanike për mbështetjen që po i jep Kosovës. Shefja e shtetit ka vlerësuar se Kosova është me e fort me aleatë si deputetja britanike.
Gjatë qëndrimit të saj në Kosovë, Kearns ka parë nga afër armatimin e konfiskuar pas aktit terrorist të 24 shtatorit në veri.
Deputetja është shoqëruar nga ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla, ku ky i fundit ka falënderuar deputeten britanike për sensibilizimin ndërkombëtar që pati bërë me rastin e deklarimit që objektet fetare dhe autoambulancat në veri të Republikës së Kosovës po përdoreshin për transport dhe vendstrehim të armatimit nga strukturat kriminale.
“Kisha kënaqësinë që së bashku me Policinë e Kosovës të presim deputeten e nderuar dhe kryetaren e Komisionit për Politikë të Jashtme të Parlamentit Britanik, Alicia Kearns. Së bashku me znj. Kearns vizituam dhe pamë nga afër armatimin e konfiskuar pas aktit terrorist të tentim-aneksimit të veriut të Republikës së Kosovës.” – shkroi mes tjerash Ministri Sveçla.

Kearns takoi edhe Ministren e Drejtësisë, Albulena Haxhiu. Ministrja bëri të ditur se i ka dhuruar deputetes britanike aksesorë të punuar nga të mbijetuarat e dhunës seksuale gjatë luftës së fundit në Kosovë.
“E nderuar të pres deputeten Alicia Kearns në Ministrinë e Drejtësisë. Pas takimit tonë produktiv, pata privilegjin t’i dhuroja disa aksesorë artizanale të bëra nga të mbijetuarat e dhunës seksuale gjatë luftës dhe i tregova Këndin e Guximit, ku ekspozohen punime artizanale.” – ka njoftuar ministrja Haxhiu.

Gjatë ditës, Kearns u takua edhe me deputeten e Kuvendit të Kosovës, Jeta Statovci e cila e ka quajtur deputeten britanike “zëri paralajmërues i së vërtetës”.
“Së bashku me deputeten e Parlamentit të Mbretërisë se Bashkuar, znj. Alicia Kearns. Zëri paralajmërues i së vërtetës, përfaqësuese e denj e një prej shteteve të bërthamës së aleatëve të Kosovës me të cilët së bashku, fituam lirinë, pavarësinë ndërsa sot punojmë për të fituar paqen dhe demokracinë.” – ka shkruar Statovci.

Deputetja Kearns disa herë kishte bërë thirrje për marrjen e masave ndaj shtetit serb pas sulmit në Banjskë. Më 14 nëntor, përmes një postimi në X, ajo tha se ende nuk janë marrë masa ndaj Serbisë, përkundër vrasjes së policit kosovar në Banjskë të Zveçanit.
Në llogarinë e saj në platformën X, ajo ka theksuar se ish-nënkryetari i Listës Serbe, Milan Radoiçiq, mbetet i lirë në Serbi.
“Radoiçiq mbetet i lirë në Serbi. Ende nuk ka pasoja për Beogradin nga Britania e Madhe, ShBA-ja, BE-ja, pavarësisht vrasjes së oficerit të policisë, armatosjes së paraushtarakëve, rrëmbimit të policëve, rolit në plagosjen e rëndë të trupave të NATO-s. Megjithatë, Kosova mbetet nën sanksionet e BE-së. Diplomaci parandaluese?”, ka shkruar ajo.
We are now two weeks since Radoičić admitted guilt for the attack on Kosovo which saw a Police Officer murdered.
— Alicia Kearns MP (@aliciakearns) October 14, 2023
He remains free in Serbia.
There have been no consequences for Serbia despite its glorification of the terrorists with a day of mourning - a clear act of escalation. https://t.co/PubnBKSHrt