Policia s’ka informata për ndonjë kërcënim ndaj serbëve që kanë nisur punën si policë
74 policë nga të gjitha komunitetet, 45 prej të cilëve serbë, kanë nisur punën në Policinë e Kosovës.
Gjatë ditës u publikuan disa kërcënime në rrjetin social Telegram, ku disa serbë kanë paraqitur me emra policët e rinjë nga komuniteti serb që janë punësuar në Policinë e Kosovës.
Megjithatë, për këto Policia e Kosovës nuk është në dijeni. Në një përgjigje për Nacionalen, Policia e Kosovës ka thënë se nuk kanë ndonjë rast të raportuar.
“Sa i përket çështjeve tjera nuk ka ndonjë informacion apo rast të raportuar, përjashtuar ndonjë koment të caktuar”, thuhet në përgjigje.
Rrjete sociale serbe kanë publikuar fotografitë dhe emrat e pesë pjesëtarëve të rinj serbë që sapo kanë filluar detyrën në Policinë e Kosovës.
Publikimi është bërë nga kanali serb t.me/BunkerSrb në platformën ruse telegram.
“Lista e serbëve nga veriu i Kosovës që sot kanë filluar punën në të ashtuquajturën Policia e Kosovës”, thotë postimi.
Më tej janë publikuar emrat dhe mbiemrat e serbëve, që ne do t’i publikojmë me iniciale: N.S, T.V, J.M, P.S dhe S.M.