Policia: Pika kufitare në Merdare është e mbyllur, bllokim i rrugëve është i kundërligjshëm
Policia e Kosovës ka njoftuar se pika kufitare në Medare është e mbyllur për qarkullim për shkak të bllokimit të rrugëve në Serbi dy kilometra larg kufirit.
Policia ka kërkuar nga qytetarët dhe mërgimtarët që të shfrytëzojnë pika të tjera kufitare për qarkullim.
“Një bllokim i tillë i kundërligjshëm ka pamundësuar lëvizjen dhe qarkullimin e lirë të njerëzve dhe mallrave, andaj ftojmë qytetarët dhe bashkatdhetarët tanë që të shfrytëzojnë pikat e tjera kufitare për qarkullim, duke përjashtuar pikat kufitare “Jarinje”, ”Bernjak” dhe “Merdare”, deri në njoftimin e radhës.”, thuhet ndër të tjera në njoftimin e sotëm të PK-së.
“Për shkak të bllokimit të rrugës në Serbi, pika kufitare ”Merdare” është mbyllur për qarkullim. Në orët e vona të mbrëmjes së datës 27.12.2022, bazuar në informacionet e siguruara, nga persona të dyshuar është bllokuar rruga në territorin e Serbisë që e lidhë me Republikën e Kosovës. Bllokimi rrugës është bërë afërsisht në kilometrin e dytë në territorin e Serbisë, nga pika kufitare “Merdare” e cila për shkak të kësaj bllokade është mbyllur për qarkullim. Një bllokim i tillë i kundërligjshëm ka pamundësuar lëvizjen dhe qarkullimin e lirë të njerëzve dhe mallrave, andaj ftojmë qytetarët dhe bashkatdhetarët tanë që të shfrytëzojnë pikat e tjera kufitare për qarkullim, duke përjashtuar pikat kufitare “Jarinje”, ”Bernjak” dhe “Merdare”, deri në njoftimin e radhës.”, njofton Policia.
Pas mbylljes së kësaj pike kufitare, mërgimtarët janë drejtuar drejt pikës te Dheu i Bardhë.
Sipas Qendrës Kombëtare për Menaxhim Kufitar pritjet te kjo pikë janë 10 deri në 15 minuta.
Për situatën reaguan edhe nga Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës (MPJD). Përmes një postimi në rrjetin social "Facebook", kjo ministri tha se “grupet kriminale serbe e kanë bllokuar pikën kufitare në Merdare”.
“Njoftohen të gjithë bashkatdhetarët dhe qytetarët që janë në lëvizje të shfrytëzojnë pika të tjera kufitare për qarkullim deri në një informim tjetër zyrtar nga ana e institucioneve të Republikës së Kosovës”- thuhet në njoftim.
