Takim “sy me sy”: Kurti dhe Abdixhiku nisin përpjekjen e katërt
Lideri i VV-së, Albin Kurti, dhe kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, kanë filluar takimin e radhës për të biseduar rreth formimit të institucioneve të reja.
Takimi i tyre i katërt duket më ndryshe se tri takimet tjera.
Kësaj radhe, duket se ata do të takohen “sy me sy”.
Derisa kanë hyrë në ndërtesën e Kuvendit, Kurti është parë vetëm i rrethuar me disa truproje, ndërsa Abdixhiku i vetëm.
Në takimet paraprake, Kurti shoqërohej me Hekuran Murati, kurse Abdixhiku me Vjosa Osmani e Lutfi Hazirin.
Para takimit, Kurti e Abdixhiku kanë dhënë mendime të ndryshme.
Lideri i VV-së, Albin Kurti, ka thënë se është edhe një përpjekje e radhës për konstituimin e institucioneve të legjislaturës së 11-të.
“Kur të kemi marrëveshje politike nga ana ime do të keni edhe material për lajme. Takimet me LDK-në nuk janë më lajm. Janë përpjekje normale për t’i konstituar institucionet e legjislaturës së 11-të”, ka thënë Kurti.
Kurse, Abdixhiku ka thënë se mbetet të shihet.
“Mbetet të shihet nëse do të ketë rezultat që do të pasojë me krijimin e institucioneve të shtetit”, ka thënë ai.
Pak orë para skadimit të afatit kushtetues për konstituimin e legjislaturës së 11-të, lideri i VV-së, Albin Kurti, iu ka dërguar ftesë liderëve të partive opozitare për takim.
Këtë ftesë e ka pranuar vetëm kryetari i LDK-së.
Kryetari i PDK-së, Bedri Hamza, në mënyrë të shpejt i ka kthyer përgjigje.
I pari i PDK-së nuk ka lëvizur nga qëndrimi i tij.
Në përgjigjen e tij në ftesën e Kurtit, Hamza i ka kërkuar lideri të VV-së që të konstituon Kuvendin.
“Për shkak të dallimeve tona programore dhe konceptuale, Partia Demokratike e Kosovës do ta ushtrojë përgjegjësinë e saj në opozitë, brenda Kuvendit të Republikës së Kosovës. Aty do ta japim kontributin tonë për forcimin e demokracisë, mbrojtjen e interesit shtetëror dhe përfaqësimin e interesave të qytetarëve”, shkruan Hamza në letër.
Ndër të tjera, ai e ka ftuar liderin e VV-së që të veprojë në bazë të Kushtetutës së Kosovës.
“Nga ju kërkojmë që sot, në përputhje me afatin e përcaktuar nga Aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese, të ndërmerrni hapat e nevojshëm për përmbylljen e konstituimit të Kuvendit dhe t’i hapet rrugë formimit të institucioneve të reja”, është thënë në letrën që Hamza ia ka dërguar Kurtit.
Kurti sot ka ftuar në takim edhe kryetarin e Aleancës, Ardian Gjini.
Gazeta Nacionale ka mësuar se ftesa e Kurtit për krytarin e Aleancës, Ardian Gjini, ishte joserioze.
Një burim brenda kësaj partie i ka thënë gazetës se Kurti e ka ftuar Gjinin vetëm përmes një “sms” në telefon.
I njëjti burim i ka thënë gaztës së Gjini shumë shpejt do t`i përgjigjet zyrtarisht Kurtit.