Policia konfirmon: Në veri gjatë natës u vendosën edhe dy barrikada të reja
Në ditën e 18 të barrikadave, veriu i Kosovës është zgjuar edhe me barrikada të tjera. Sipas inofrmacioneve zyrtare në veri të vendit janë vendosur edhe dy barrikada.
E vendosjen e barrikadave e ka konfirmuar edhe Policia e Kosovës.
Nga policia kanë bërë të ditur se njëra barrikad është vendosur në Mitrovicë të Veriut tek udhëkryqi afër shkollës teknike dhe një tjetër është vendosu në Zveçan te vendi i quajtur “Kershi i Dudes”.

“Në veri të vendit, gjatë natës persona/grupe kriminale, kanë vazhduar vendosjen e barrikadave duke penguar edhe më tej lirinë e lëvizjes së lirë. Referuar informacioneve zyrtare janë vendosur edhe dy barrikada me mjete të rënda. Njëra prej barrikadave është vendosur në udhëkryqin te shkolla teknike, ndërsa tjetra është vendosur te vendi i quajtur Kershi i Dudes.”, thuhet në njoftimin e PK-së.
Në anë tjetër, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti në një intervistë për mediumin boshnjak ka thënë se në veri të vendit janë të vendosura 11 barrikada.
Teksa sot është dita e 18 që nga vendosja e tyre, nuk është bërë asnjë hap për largimin e tyre.
Kryeministri, ndër të tjera tha se këto barrikada do të largohen brenda disa ditëve, që nuk do të jenë javë apo muaj. Madje, sipas kryeministrit, nëse këtë gjë nuk e bën KFOR-i, do ta bëjnë autoritetet e Kosovës.
“Nëse këtë nuk e bënë KFOR-i, do ta bëjmë ne. S’mund të zgjasin për muaj. As për javë, por vetëm disa ditë”, ka thënë Kurti.
Kurti shtoi se barrikadat janë urdhër i Beogradit si episodë e dytë ne veri të Mitrovicës.
“Ne kemi policinë tonë në veri, e cila tani është më e pranishme se më parë. Por ne kemi edhe njëmbëdhjetë barrikada. Këto barrikada ishin episodi i dytë i episodit të parë, që ishte se serbët nga veriu morën urdhër nga Beogradi që të largohen nga të gjitha institucionet e Kosovës”, ka thënë kryeministri, i cili shtoi se po “përsëriten gabimet e viteve 90-ta”
“Ata nuk janë krijues. Ata nuk dinë gjë tjetër veçse të përsërisin gabimet e viteve nëntëdhjetë kur ndërtuan barrikada në Bosnje dhe Kroaci. Pra, në një farë mënyre dinë vetëm të përsëriten. Unë mendoj se ata do të dështojnë”, ka thënë Kurti.

