Policia gjen parfume e rroba të shtrenjta aty ku po fshihej bosi i mafias, Matteo Denaro - NACIONALE

Policia gjen parfume e rroba të shtrenjta aty ku po fshihej bosi i mafias, Matteo Denaro

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Burimet në organet e drejtësisë në Itali kanë thënë se parfume dhe rroba të shtrenjta u gjetën të martën në një banesë ku hetuesit besojnë se po fshihej së fundi bosi sicilian i mafias, Matteo Messina Denaro.

Banesa ndodhet në një ndërtesë modeste afër qendrës së qytezës Campobello di Mazara, në perëndim të provincës perëndimore siciliane, Trapani, vetëm pak kilometra larg vendlindjes së Denaros, Castelvetrano, thanë burimet. Asnjë armë nuk është gjetur në atë banesë.

“Ne besojmë se kjo është një shtëpi [banesë] vazhdimisht e përdorur në periudhën më të fundit, shtëpi që ka qenë rregullisht e zënë dhe në të cilën ne mendojmë se mund të gjejmë elemente të rëndësishme”- tha Pasquale Angelosanto nga njësiti special, ROS, i karabinierëve.

Messina Denaro, i kapur të hënën në një spital privat në Palermo pas 30 vjetëve në arrati, njihej për shijen e tij për mallra luksoze, përfshirë syzet dhe rrobat. Policia ka thënë se ai kishte në dorë një orë me vlerë të 35 mijë eurove, kur u arrestua.

I njohur me nofkën “I holli”, Denaro është dënuar 20 herë me burgim të përjetshëm në procese gjyqësore me gjykim në mungesë për rolin e tij në një varg vrasjesh, përfshirë sulmet me bomba nga të cilat ishin vrarë prokurorët kundër mafias, Giovanni Falcone e Paolo Borsellino, më 1992.

Hetuesit besojnë se Messina Denaro qe dërguar me veturë të hënën në spitalin “La Maddalena” të Palermos nga Campobello di Mazara për t’u trajtuar për kancer. Në këtë qytezë banonte ndihmësi i tij i dyshimtë, Giovanni Luppino, i cili është arrestuar me të.

Mediet italiane kanë raportuar se Denaro është zhvendosur nga Sicilia pas arrestimit dhe të hënën vonë është dërguar në rajonin qendror, Abruzzo, por qe ende e paqartë se ku do të mbahet.

Pavarësisht nga sëmundja e tij, prokurorët thanë se Denaro është mjaftueshëm i shëndoshë për të kaluar kohë në burg, ku do t’i vazhdohet trajtimi kundër kancerit.

Lajme të ngjashme