Policia: Do të ndërtojmë stacionin në Zubin Potok, nuk ka të bëjë me qëllime tjera
Policia e Kosovës ka lëshuar një komunikatë në lidhje me reagimet për ndërtimin e Stacionit Policor në Zubin Potok, ku kanë thënë se stacioni ku tashmë janë të vendosur PK është një objekt privat, me qira, dhe nuk i plotëson kushtet për ofrimin e shërbimeve për qytetarët.
PK tutje ka thënë se tashmë e një kohë kanë filluar procedurat për përmirësimin e infrastrukturës, pra ndërtimin e një objekti të ri, në Zubin Potok.
Sipas Policisë, procedurat kanë filluar qysh në vitin 2018, dhe tash m 23 tetor 2023 janë pajisur me leje ndërtimore.
Ndër të tjera në komunikatën e Policisë së Kosovës thuhet se nuk kanë të bëjë me asnjë qëllim tjetër që spekulohet nga individ apo subjekte politike serbe.
Komunikata e plotë:
Policia e Kosovës në kuadër të vizionit e misionit të saj, ka për qëllim ruajtjen e rendit kushtetues dhe sigurimin e rendit dhe qetësisë publike për të gjithë qytetarët pa dallim.
Policia e Kosovës ndër objektivat strategjike ka për qëllim edhe krijimin e kushteve dhe ofrimin e shërbimeve sa më të mira dhe të lehta ndaj qytetarëve. Po ashtu, për të qenë sa më afër qytetarëve, ka planifikuar edhe rregullimin e infrastrukturës e cila do të shërbejë për ofrim të shërbimeve sa më efikase e komode për qytetarët.
Stacioni Policor në Zubin Potok është i vendosur në një objekt privat, me qira dhe i cili objekt nuk ka plotësuar kushtet për ofrimin e shërbimeve për qytetarët dhe për punë të zyrtarëve policorë të rendit. Kështu, Policia e Kosovës me kohë ka filluar procedurat për përmirësimin e infrastrukturës (ndërtimin e një objekti të ri) në Zubin Potok.
Lidhur me procedurat e ndërtimit të objektit të SP Zubin Potok, që kanë filluar kohë më parë, janë ndjekur të gjithë hapat e duhur procedural e ligjor si:
• Vendimi përfundimtar i shpronësimit nr. 05/28 , datë 05.02.2018, – pronë shoqërore,
• Lëshimi i kushteve ndërtimore nga Drejtoria e Urbanizmit KK Zubin Potok dt. 03.12.2020,
• Më 11.05.2022 – pranimi i njoftimit nga komuna Zubin Potok për plotësim të dokumentacionit për regjistrim të pronës në emër të Policisë së Kosovës, komfor vendimit të Qeverisë si dhe pëlqimi për qasje në rrugë,
• Certifikata e pronësisë P- 72908055-01305-0
• Pas bartjes së pronës në emër të PK-së, është lëshuar edhe Vendimi për qasje në rrugë dt. 19.08.2022 nr. 112/2022,
• Me datë 23.10.023 PK-ja është pajisur me Leje ndërtimore, për ndërtimin e objektit sipas Marrëveshjes së Mirëkuptimit të nënshkruar me datë 10.12.2021 mes PK-së dhe Agjencisë së Regjistrimit Civil për projektin.
Stacioni Policor dhe zyrtarët policorë që do të punojnë aty (Zubin Potok), do t’i shërbejnë tërë komunitetit që jeton në atë zonë dhe nuk ka të bëjë me qëllime tjera siç spekulohet nga individ apo subjekte politike serbe.
