Lista Serbe me gjuhë të ashpër, kundërshton ndërtimin e stacionit policor në Zubin Potok
Sot gjatë ditës u njoftua se në Zubin Potok po ndërtohet një stacion policor. Në lidhje me këtë temë ka reaguar edhe Lista Serbe, partia më e madhe serbe në Kosovë.
Sipas Listës Serbe, ndërtimi i këtij stacioni policor është shembull i “presionit institucional” ndaj serbëve në Kosovë.
Kjo parti ka përdorur gjuhë absolutisht të ashpër, ndërsa ka bërë një krahasim në mes Kosovës dhe Koresë së Veriut.
“Veriu i Kosovës me ndërtimin e bazave parapolicore nga Prishtina, gjithnjë e më shumë i ngjan burgut të hapur apo Koresë së Veriut, sesa fshatrave dhe qyteteve evropiane. Presioni institucional që Kurti po ushtron ndaj qytetarëve tanë, madje edhe ndaj fëmijëve është përtej çdo mase dhe ata duhet të veprojnë urgjentisht. Kërkojmë gjithashtu reagimin e EULEX-it dhe KFOR-it, të cilët janë përgjegjës për sigurinë e të gjithë qytetarëve, por besojmë të vetëdijshëm se kjo lëvizje nuk është një hap në drejtimin e duhur në kuptimin e deeskalimit të situates.” – thuhet në komunikatën e Listës Serbe.