“Po punojmë shumë”, “S’kam frikë nga konflikti…”: Çka thanë Scholz e Macron për situatën Kosovë-Serbi? - NACIONALE

“Po punojmë shumë”, “S’kam frikë nga konflikti…”: Çka thanë Scholz e Macron për situatën Kosovë-Serbi?

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Kosova dhe Serbia ende nuk janë rikthyer në tavolinën e dialogut, anise Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës në vazhdimësi po përmendin fjalën “urgjencë” sa i përket normalizimit të marrëdhënieve mes dy shteteve. Së fundi, edhe liderët e dy shteteve të fuqishme evropian kanë folur mbi këtë situatë – çka u tha?

Fillimisht, para dy ditësh kancelari gjerman, Olaf Scholz tha se po punohet për të zgjidhur situatën e vështirë mes dy vendeve.

“Po punojmë shumë për të zgjidhur situatën vërtetë të vështirë mes Kosovës dhe Serbisë.” – u shpreh ai.

Sot ndërkaq, duke folur për situatën në Ballkan, presidenti francez, Emmanuel Macron u deklarua edhe për veriun e Kosovës.

Sipas tij, “tensionet janë qetësuar paksa tani”, derisa më tutje u shpreh si vijon:

Jam i shqetësuar, por nuk kam frikë nga rifillimi i konfliktit në Kosovë. – ka thënë nder të tjera ai.

Çka ndodhi në Bruksel?

Pikërisht sot në Bruksel parashihej të mbahej një takim mes kryenegociatorit të Kosovës në bisedime, Besnik Bislimi dhe atij të Serbisë, Petar Petkoviq.

Takimi trepalësh nuk u mbajt, këta të dy paraprakisht diskutuan veç me emisarin evropian, Miroslav Lajçak.

Ndërkohë, pas takimit është deklaruar Bislimi i cili u shpreh se ndonëse draft statuti i Asociacionit ishte në agjendë, për një gjë të tillë nuk u fol.

“Në agjendë ka qenë si pikë. I kemi treguar Lajçakut se kemi pozicion të qartë siç e ka dhënë kryeministri më 26 tetor. Jemi të gatshëm ta pranojmë dokumentin në plotëni, të nënshkruajmë së bashku me dy dokumentat tjera. S’kemi pasur nevojë për sqarime shtesë nga ana e BE-së, prandaj edhe s’kemi diskutuar. Drafti që i është sjell Kosovës ka pasur kujdes të shtuar për Kushtetutën e Kosovës. Por a është në haromi të plotë, do ta vendosë Gjykata Kushtetuese. Nuk mund të nisë puna pa nënshkrim, pasi duhet garanca që kemi marrëveshje valide e cila pastaj krijon obligime edhe për palën tjetër.” – citohet se ka thënë ai për “Kohën”.

Sa i përket Asociacionit, tashmë Qeveria e Kosovës, më konkretisht kryeministri Albin Kurti ka konfirmuar se drafti i ri është i pranueshëm dhe më i avancuar se sa marrëveshjet e vitit 2013 dhe 2015.

Është e çartë se ai draft statut është pakrahasimisht më i avancuar se siç kanë qenë në 2013 e 2015. Këtu janë çështjet e përmbajtjes, por unë do të thosha që kryesorja është se ky draft statut fillon me atë se në çfarë shteti ndodh kjo gjë. Pra, së pari kemi një pranim të thelbit dhe të kornizës e që është shteti demokratik, Republika e Pavarur e Kosovës dhe në anën tjetër, megjithatë, unë kam dërguar vërejtjet, komentet, kritikat e mia për këtë draft me datën 24 tetor, me qenë se natyrisht nuk është një draft i cili do të shkruhej prej meje saktësisht asisoj.” – theksoi Kurti gjatë një interviste të martën.

Lajme të ngjashme