“Si refer pa pip", "Fishkëlloni kur ka shkelje”: Kurti në 'Der Standard' i mëshon BE-së për “marrje me të mirë” Serbinë
“Paramendojeni një refer që i ka humbur pipi dhe thjesht i ndjek lojtarët”, i tha Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, gazetës austriake “Der Standard” për të ilustruar atë që, sipas tij, po ndodh me arbitrimin e Bashkimit Evropian rreth (mos)zbatimit të Marrëveshjes Bazike për normalizim të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë, dhe “shkeljeve” nga kjo e fundit të cilës “BE nuk nuk i fishkëllon”.
Kur ka shkelje të marrëveshjes, tha Kurti, “referi duhet t’i bijë pipit” – por, tha ai, kjo nuk është rasti; ngase “saherë që Beogradi e shkel marrëveshjes, nuk fishkëllohet pipi”.
E pse është kjo kështu, Kurti ka një supozim: “Mbase ka të bëjë me këtë politikën e të marrit me të mirë (Serbinë)”.
Por, e kanë gabim, pandeh Kurti, e madje edhe, sipas tij, prodhojnë pasojën e kundërt nga ç’kanë ndërmend: “Sepse për shkak që Perëndimi është kaq e butë me Serbinë, ata paradoksalisht po e shtyjnë edhe më kah Rusia. Sepse Beogradi ka më shumë dashuri e frikë për Moskën sesa Brukselin”.
Kurti kohëve të fundit ka qenë tejet denoncues ndaj ndërmjetësve, e në veçanti pas takimit të Nivelit të Lartë më 14 shtator, ku i akuzoi për “konspirim” me Serbinë “për të jetësuar vetëm gjysmën e Marrëveshjes” dhe se “ndërmjetësi hoqi dorë nga funksioni i tij si ndërmjetës”; e madje u kishte nisur letra qendrave të botës perëndimore, ku siç shpjegonte diplomati amerikan Gabriel Escobar, Kurti i kishte shkruar Departamentit amerikan të Shtetit se “Borrell dhe Lajçak po koludojnë (kanë marrëveshje të fshehtë) me Rusinë për qasje të anshme kundër Kosovës”.
Kurti i qëndroi linjës së kërkesës së tij për “nënshkrim” të marrëveshjesa, duke folur për refuzimin e Serbisë që të vendos firmën mbi letër; derisa thotë se Presidenti i Serbisë, Aleksnadar Vuçiq, ka kërkuar që të nënshkruhet dokumente veç-e-veç: Serbi-BE, Kosovë-BE. E këtu shton se “unë s’jam këtu t’i normalizojë marrëdhëniet me BE-në, por me Serbinë”.
“Vuçiq ka kërkuar edhe një letër anësore për të thënë se Serbia nuk do ta njohë pavarësinë e Kosovës, se Kosova nuk do të ketë vend në Kombet e Bashkuara dhe se Serbia nuk do ta pranojë integritetin territorial të Kosovës”, tregoi ai.
Kurti foli edhe për gjendjen në veri me kryetarët legalë (e jo legjitimë) në veri – për çka tha se “nuk dua kryetarë shqiptarë ë veri – siç është rasti tani” por se ato duhet të dërgojnë peticion për largim të kryetarëve; “e këtë unë s’mund e bëj në emër të tyre”.
“Sipas ligjit për vetëqeverisjen lokale, 20 për qind e atyre me të drejtë vote duhet të dorëzojnë peticion. Unë nuk mund ta bëj këtë në emër të tyre. Kjo është mënyra e vetme për të siguruar që bojkotet të mos përsëriten. Në mars, partia Lista Srpska bojkotoi zgjedhjet. Nuk dua kryetarë shqiptarë në veri – siç është aktualisht”.
“Ata kanë pak legjitimitet politik për shkak të pjesëmarrjes së ulët të votuesve, pavarësisht se janë plotësisht të ligjshëm. Megjithatë, Beogradi nuk është i interesuar për pjesëmarrjen demokratike të serbëve në Kosovë, sepse dëshiron kompensim territorial për humbjen e Jugosllavisë”, tha ai.
Pyetur se a pret që Kosova të anëtarësohet në Këshillin e Evropës, Kurti u shpreh “optimist” por në të njëjtën kohë edhe dyshues.
“Jam optimist. Por është shumë e rëndësishme që kjo të ndodhë përpara zgjedhjeve të BE-së dhe SHBA-së, sepse disa shenja nuk janë të mira. Nuk e dimë se si do të duket bota pas dy vitesh. Në vend të çlirimit të plotë të Ukrainës dhe përfundimit të luftës atje, ne kemi një tjetër konflikt në Lindjen e Mesme. Si rezultat, ka më pak vëmendje për Ballkanin.tha ai.