"Po e dënon Drenicën": Lushtaku e Musliu e akuzojnë Kurtin për diskriminim të komunave që s'i qeverisë VV-ja
Partitë opozitare kanë kritikuar Qeverinë e Kosovës për Projektbuxhetin e vitit 2024, i cili u shqyrtua sot në Kuvendin e Kosovës. Madje, zyrtarët e PDK-së, dhe me konkretisht ata nga rajoni i Drenicës janë ankuar për diskriminim krahinor nga ana e Qeverisë Kurti. Ata akuzojnë kryeministrin e vendit se po i hakmerret komunave në të cilat partia e tij nuk ka vota, sidomos vendlindjen e ish-presidentit Hashim Thaçi, i cili aktualisht po gjykohet në Hagë. Si u kritikua projketbuxheti për vitin 2024?
Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Ganimete Musliu gjatë seancës së Kuvendit të Kosovës, ku u diskutua projektbuxheti i vitit 2024, ka thëne se ato komuna që nuk udhëhiqen nga Lëvizja Vetëvendosje, po dënohen nga pushteti përmes buxhetit, ka thënë.
“Për komunën e Kamenicës e cila qeveriset nga Vetëvendosja, qeveria ka ndarë 2 100 000 euro. Për Komunën e Shtimes ku qeveris ’’çlirimtari’’ i Vetëvendosjes janë ndarë buxhet 2 333 333 euro. Për komunën e Gjilanit që qeveriset nga Vetëvendosja janë ndarë buxhet 6 800 000. Për komunën e Podujevës që po ashtu qeveriset nga Vetëvendosja janë ndarë buxhet 1 875 000 euro”, ka thënë Musliu.
“Pra në të gjitha komunat e lartëcekura qe qeverisen nga Vetëvendosja është buxhet milionësh dhe unë personalisht nuk kam asgjë kunder dhe e përshendes ndarjen e këtij buxheti për të cilin qytetaret kanë nevojë. Mirëpo, këtë ndarje buxhetore e shëmton inati dhe hakmarrja e Albin Kurtit ndaj qytetarëve të atyre komunave që nuk ja besuan pushtetin Vetëvendosjes të cilat janë diskriminuar e po diskriminohen nga Albin Kurti me këtë buxhet”.
“Në komunen e Vushtrrisë ku qeverise Partia Demokratike e Kosovës janë ndarë vetem 650 000 euro. Në komunen e Prizrenit ku qeverise Partia Demokratike e Kosovës janë ndarë vetem 900 000 euro. Dhe krahasone numrin e popullsisë se Prizrenit me atë të Shtimes apo të Kamenicës. Në komunen e Suharekës ku qeverise Aleanca për Ardhmerinë e kosovës janë ndarë vetem 100 000 euro. Në komunen e Drenasit ku qeverise Partia Demokratike e Kosovës janë ndarë vetem 185 000 euro. Në komunen e Lipianit ku qeverise Lidhja Demokratike e Kosovës janë ndarë vetem 400 000 pra asnjëra nga këto komuna nuk e prek shifrën një milionëshe prandaj kjo e bënë të shëmtuar e diskriminues ndarjen buxhetore për vitin 2024”, tha Musliu.
Ndërsa, nënkryetari i Skenderajt, Sami Lushtaku tha se rajoni i Drenicës po diskriminohet me urdhër të kryeministrit Albin Kurti për inat të ish-presidentit, Hashim Thaçi
Lushtaku për Kosovalive, theksoi se me urdhër direkt të Kurtit, Drenicës i është ndalë projekti i ujësjellësit.
Një gjë të tillë sipas tij nuk e kishte bërë as Serbia.
“Jam praktik, pragmatik, më së paku merret me politikë, unë nuk jam politikan. Deri në dy të natës nuk e mbylli telefonin, merrem me halle të njerëzve. Ka shumë raste që iu kam ndihmu por nuk kam qejf t’i përmendi. Iu kam ndihmu aq shumë njerëzve sa që nuk i mbaj në mend. Në Skenderaj është punuar shumë që nga paslufta, shumë, shumë. Në kohën e Serbisë, Drenica ka qenë e dënuar, nuk është bërë asgjë. Një pjesë e qytetarëve të Kosovës edhe sot ende kanë dëshirë me na pa në lloç. Me urdhër të kryeministrit Kurti na është ndal projekti i ujit, as në kohën e Serbisë nuk na është uji e rryma. Qeveria Kurti për inat të Hashim Thaçit po na diskriminon. Njëjtë bëri edhe Serbia. Kurtoviq po diskriminon”, tha Sami Lushtaku.

